Sporti

Kishte paraqitje fantastike në fundjavë – portieri i Gjilanit, Rrezon Matoshi: As që kam menduar për debutim të tillë – jam shumë i lumtur

04/01/2024 20:46
nga:Lorik J

Skuadra e Gjilanit barazoi me rezultatin 1-1 ndaj Dukagjinit në xhiron e 27’të të Superligës së Kosovës në futboll.

Në këtë ndeshje debutoi portieri i Gjilanit, Rrezon Matoshi, i cili pati paraqitje të mrekullueshme, duke ndalur disa goditje të ekipit kundërshtar, me ç’rast ia siguroi një pikë ‘Skifterave’.

Matoshi tha se është i lumtur për debutimin në klubin ku është rritur, teksa tha se nuk e kishte menduar kurrë një debutim të tillë kaq të mirë.

“Së pari dua të theksoj që jam i lumtur që kam arritur të debutoj për klubin ku jam rritur. Kam punuar shumë dhe e kam pritur këtë ditë. Fillimisht klubi më ka besuar kohë më parë me kontratë profesionale, ndërsa tani edhe me minuta të lojës. Asnjëherë në mendjen time nuk e kisha menduar një debutim të tillë, duke patur parasysh edhe peshën dhe rëndësinë e ndeshjes. Për mua kjo është vetem një përgjegjësi, që më shton vetëbesimin të punoj edhe më shumë. Ndjehem shumë mirë për veten time dhe familjen time që ka investuar në mua. Kjo ndeshje shkon vetëm për ta”, tha fillimisht Matoshi për ‘GazetaBlic Sport’.

Konkurrenca në portën e Gjilanit për Matoshin është e fortë – megjithatë ai thotë se ky nuk paraqet problem, pasi të tre portierët kalojnë mirë dhe duan vetëm t’i ndihmojnë ekipit në çdo moment.

“Jemi grup fantastik i portierëve. Për fatin jo të mirë Betimi (Halimi) është lënduar dhe tani kemi përgjegjësinë me Aridonin (Bllacën) t’i japim siguri ekipit. Ne asnjëherë nuk shiqojmë se kush do startojë, por si t’i ndihmojmë ekipit sa më shumë. Jemi të lumtur me punën dhe me klubin. Shpresojmë që shumë shpejtë të dalim nga kjo zonë, pasi që klubi dhe tifozët e meritojnë një renditje sa më të mirë”, vazhdoi ai.

Në fund, Matoshi zbuloi se u përgëzua nga të gjithë për paraqitjen e mirë – por potencon se do qëndrojë me këmbë në tokë dhe do vazhdojë të punojë shumë.

“Jam përgëzuar nga të gjithë, por fatkeqësisht nuk arritëm të marrim fitoren e aq shumë kërkuar. I gjithë stafi më kanë përgëzuar dhe më kanë sygjeruar që të vazhdoj punën edhe më fuqishëm. Duhet qëndruar me këmbë në tokë dhe me besim edhe më të madh. U falemnderohem edhe atyre për përkrahjen dhe mbështetjen”.

SC Gjilani ndodhet në pozitën e tetë me 27 pikë në renditjen tabelare.

/GazetaBlic Sport/