Euro2024

Kishte idhull Ronaldon, sulmuesi i Spanjës: Nuk ka asnjë ekip më të fortë se ne

06/28/2024 14:55
nga:Mergim Rreci

Spanjolli Nico Williams zbuloi se Cristiano Ronaldo ishte një nga frymëzuesit për stilin e tij të lojës.

Anësori 21-vjeçar ka shkëlqyer për Spanjën në Euro 2024 dhe, në një intervistë për gazetën “Marca” vuri në dukje se ka pasur Ronaldon si referencë gjatë karrierës së tij.

“Unë dhe Lamine Yamal jemi shumë të ngjashëm. Kur isha fëmijë kam parë shumë video të Cristianos te Manchester United, Neymarit te Santosi dhe Barça, Robinho… Isha talent i rrugës. Isha gjatë gjithë kohës, çdo ditë, në sheshin e lagjes sime duke luajtur futboll, duke dribluar. Kjo tashmë ka humbur pak. Lamine është një lojtar i madh dhe ne përpiqemi të mësojmë nga njëri-tjetri”, tha ai.

Për sa u përket paraqitjeve të Spanjës, lojtari i Athletic Bilbaos e vendos veten si favorit:

“Nuk kam parë asnjë skuadër të luajë më mirë se ne. Si ekip, nuk ka më të mirë se ne. Franca ka potencial të madh individual. Anglia gjithashtu. Por si ekip, sakrificë, punë, nuk ka si ne.”