Lajme

“Kisha frikë se do të vdisja”- Rrëfimi rrëqethës i Rrezarta Dhomit, gruas që i mbijetoi kancerit të gjirit dy herë

10/06/2025 20:27
nga:N K

Tetori njihet si Muaji Rozë, muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, periudhë kjo në të cilën të mbijetuar në mbarë botën ndajnë historitë e tyre të forcës dhe shpresës.

Në mesin e grave që dolën fituese nga kjo betejë është Rrezarta Dhomi, e cila e mposhti këtë sëmundje plot dy herë. Historinë ajo e ka ndarë për Gazeta Blic.

Rrëfimi i saj është thirrje për guxim, besim në jetë e kontrolle të rregullta.

Rrugëtimi i saj i vështirë nisi në vitin 2010, ku pas disa simptomave si shtrëngim në gjoks, vendosi të bëjë një kontroll.

“Tre muaj para diagnozës ndieja një shtrëngim poshtë gjoksit. Fillimisht e lidha me ciklin menstrual, por kur nuk u zhduk, vendosa të bëja një kontroll. Kështu filloi rrugëtimi im”, rrëfen ajo.

Rezultatet e analizave treguan se Rrezarta vuante nga kanceri i gjirit në fazën e dytë. Ajo iu nënshtrua operacionit, ku si pasojë iu hoq gjiri dhe në vend të tij iu vendos implant.

“Isha e tronditur dhe kisha frikë se do të vdisja. Mendova për djemtë e mi, kush do t’i rriste nëse unë s’do të isha më”, kujton ajo.

Betejë e fituar me sukses, mirëpo jo e fundit për Rrezartën. Asaj iu rikthye kanceri i gjirit pas plot 13 vjetësh. Në prill të vitit 2023, ajo zbuloi se vuante sërish nga kjo sëmundje, madje tregon se kësaj here e përjetoi akoma më rëndë se në herën e parë.

“Herën e parë ishte shumë e vështirë, por e përjetova me forcë. Rikthimi pas 13 vitesh ishte edhe më i rëndë emocionalisht. Familja ime ishte larg, në Kosovë, gjithshtu edhe miqtë dhe shoqëria ime ishin larg, por ata të gjithë më përkrahën virtualisht. Edhe pse shpesh isha shumë e lodhur, përpiqesha të postoja diçka pozitive për t’u treguar të gjithëve se po luftoja dhe se do të fitoja”, tregon ajo.

Gjatë kësaj kohe, Rrezarta iu nënshtrua 13 seancave kimioterapike, një operacioni, 16 seanca radioterapie dhe 12 cikleve të kombinuara të imunoterapisë e kimioterapisë.

“Çdo etapë ishte e lodhshme, me dhimbje dhe rënie flokësh, por çdo trajtim ishte një hap më afër shërimit”, thotë ajo me forcë.

Pas përfundimit të trajtimit më 7 gusht 2024, Rrezarta tregon se mori pjesë në një program rehabilitimi trejavor në një klinikë në Gjermani, që e ndihmoi të rigjente ekuilibrin trupor dhe shpirtëror.

“Sistemi shëndetësor në Gjermani është i organizuar mirë, trajtimi është i shpejtë dhe me standarde të larta. Gjithmonë ndihesha e mbrojtur dhe e kujdesur. Pas përfundimit të trajtimit mora një rehabilitim trejavor në një klinikë rehabilituese në Gjermani, ku e shijoja relaksimin dhe kujdesin e nevojshëm për trupin dhe shpirtin tim luftarak”, rrëfen ajo.

Sot, pas dy betejave të fituara, gjendja e saj është e mirë, analizat janë të pastra dhe ajo tregon se ndjekë gjendjen e saj shendetësore çdo gjashtë muaj.

“E gjithë jeta ime ka marrë një kuptim tjetër. Tani e vlerësoj më shumë shëndetin, familjen dhe momentet e vogla”, thotë Rrezarta, që tashmë i është rikthyer punës dhe jetës normale.

Në shtator ajo vizitoi Kosovën dhe realizoi një ëndërr të vjetër, të shihte Bjeshkët e Valbonës dhe burimin e Drinit të Bardhë.

“Ishte një përjetim i jashtëzakonshëm. Tani dua të realizoj dëshira të tjera, sepse jeta është e bukur”, shton ajo.

Rrezarta Dhomi ka një mesazh për të gjitha gratë që momentalisht vuajnë nga kjo semundje, duke i ftuar ato të mos dorëzohen kurrë dhe ta shijojnë çdo moment të jetës.

“Mos u dorëzoni, asnjëherë. Mendoni pozitivisht, mbani shpresën gjallë dhe shijoni çdo moment të jetës. Sepse jeta, pavarësisht gjithçkaje, është e bukur shumë”, përfundon Rrezarta./GazetaBlic/