Kina ka ekzekutuar një ish-bankier të lartë për pranimin e rreth 135 milionë eurove ryshfet në spastrimin e fundit të korrupsionit nga Presidenti Xi Jinping.
Bai Tianui, ish-drejtori i përgjithshëm i firmës së menaxhimit të aseteve “China Huarong International Holdings”, u vra të martën në qytetin verior të Tianjin, raporton “The Telegraph”.
Bai, sipas prokurorëve, ka keqpërdorur pozitën e tij në kompaninë shtetërore të investimeve jashtë vendit midis viteve 2014 dhe 2018, duke pranuar një “shumë të madhe” ryshfetesh që arrinin në 1.1 miliardë yuan (135 milionë euro).
Në një deklaratë, gjykata tha: “Sasia e ryshfeteve të marra nga Bai Tianhui ishte jashtëzakonisht e madhe, rrethanat e krimit ishin veçanërisht serioze dhe ndikimi shoqëror ishte veçanërisht i rëndë”.
Ajo shtoi se krimi i Bait kishte “dëmtuar interesat e shtetit” dhe të popullit kinez dhe “ai duhet të ndëshkohet rëndë sipas ligjit”.
Gjykata Supreme Popullore, gjykata më e lartë e Kinës, tha se faktet e çështjes ishin “të qarta” dhe provat kundër Bait ishin “përfundimtare dhe të mjaftueshme”, kështu që dënimi i tij ishte “i përshtatshëm”.
Zyrtarët nuk dhanë detaje se si u ekzekutua Bai, por thanë se atij iu lejua të takohej me të afërmit e ngushtë paraprakisht.
Gjykata e Lartë Popullore e Tianjinit mbështeti dënimin e tij me vdekje pasi hodhi poshtë apelin e tij më 24 shkurt.
Në Kinë, një dënim me vdekje i dhënë nga gjykatat e ulëta duhet të paraqitet për shqyrtim në Gjykatën Supreme Popullore.


