Kina po akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pengimin e operacionit të Kombeve të Bashkuara për uljen e tensioneve mes Izraelit dhe Palestinës.
Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kanë shprehur shqetësim për gjendjen dhe kanë kërkuar nga ky organ që ta luajë rolin e vet në uljen e tensioneve, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying, gjatë një konference të rregullt për gazetarë.
Ajo tha se Shtetet e Bashkuara, kanë kundërshtuar një deklaratë të përbashkët gjatë një takimi emergjent të Kombeve të Bashkuara të mërkurën, shkruan televizioni kinez në gjuhën angleze.
Sipas disa burimeve të cituara nga agjencia AFP, 14 nga 15 shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e përkrahën miratimin e një deklarate të përbashkët me qëllim të uljes së tensioneve mes Izraelit dhe palestinezëve, ndërsa vetëm Shtetet e Bashkuara ishin kundër saj.
Zëdhënësja kineze tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë indiferente ndaj vuajtjeve të palestinezëve, ndërsa në anën tjetër kanë këmëngulur që të zhvillojnë takime me aleatët e tyre për çështjen e pakicave në Xinjiang.
“Edhe jetët e palestinezëve janë të vlefshme”, shtoi zëdhënësja Chunying, duke i bërë thirrje Washingtonit që ta përqafojë drejtësinë gjatë trajtimit të konfliktit në Gaza dhe Izrael.
LEXO EDHE: