Lajme

Kilaj: U zhgënjeva që lash shokët në Hagë, Hashim Thaçi është historia e Kosovës

11/19/2026 14:00
nga:L J

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj ka rrëfyer për Klan Kosovën detaje nga procesi gjyqësor në Hagë ndaj tij, ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në rastin për administrimin e drejtësisë.

Kilaj, ka qenë i vetmi që është shpallur i pafajshëm në këtë rast, derisa të tjerët janë dënuar, përfshirë edhe Thaçin, i cili është gjykuar me 17 muaj burgim.

Por, ai ka thënë se është ndier i zhgënyer që mbrapa në Hagë ka lënë shokët e tij, si dhe ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

“Me të vërtetë nuk e kam ndjeh si lirim për mua, është një zhgënjim i radhës kur del dhe i lë ata burra aty. Hashim Thaçi nuk është një Hashim Thaçi i Kosovës dhe i familjes së tij, por ai është vet historia e Kosovës. Është krejt e kaluara e lavdishme e jona, dhe gjithçka lidhet me emrin e tij dhe me veprimtarinë e tij dhe t’ua kthesh shpinën nuk është e lehtë.”, ka thënë Kilaj.

Ai ka shtuar se në ditën e aktgjykimit nuk kanë pasur shumë mundësi të flasin me Thaçin dhe të tjerët.

“Kemi dhanë dorën njëri-tjetrit, por nuk kemi mundur të flasim prej emocioneve që po e lëmë atë aty, shumë pak kemi mundur të flasim, edhe ashtu kemi pasur pengesa nga gardianët. Mesazhin që e dha në sallë gjyqi, atë mesazh na dha edhe neve, është një gjykim politik dhe është krijuar për të dënuar një pjesë të popullit të Kosovës.”, ka shtuar Kilaj.