Lajme

Kica-Xhelili-Kurtit: U lënduan gazetarë, policë e ushtarë të KFOR-it, ti thoshe “po e shtrijmë sovranitetin”

06/02/2023 17:56
nga:Y I

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti në veprimet e ndërmarra sa i përket menaxhimit të situatës në veri.

Sipas saj, përveç marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumice Serbe, tani në Kosovë do të ketë sërish zgjedhje të reja në komunat veriore.

“Përveç marrëveshje për Asociacionin, tash kemi zgjedhje që mund të rishpallen sërish pa e pranuar që po rishpallen derisa të gjeni një simbolikë tjetër që zëvendëson pranimin, krizë të re”, ka thënë Kica-Xhelili në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Kica-Xhelili, përmendi edhe sulmet që lënduan gazetarët, policët dhe pjesëtarët e NATO-s.

“I zgjodhëm kryetarët me 20 vota, por kurrë siguri nuk u ofruam atyre kryetarëve, as shtet, e as pushtet e aq më pak sovranitet. U lënduan policët tanë, gazetarë, e pjesëtarë të NATO-s e ju thonit shikoni se si po e shtrijmë sovranitetin atje”.

Sipas Kica-Xhelilit, Kurti ka pranuar Asociacionin duke ia përmendur të gjitha kushtet që thonte se nuk do i pranonte por që përfundoi duke i pranuar.

“E dinit se do të vinin në pikë eskalimi e konsiderimi të rishpalljes së zgjedhjeve të njëjta, sepse edhe këtë ua thanë ata naivët që dinin më shumë se ju. Nuk e kishit problem, problem do e kishit ta kuptoni të tjerët se çka synoni ju, ky ishte çmimi juaj të mos e kuptonin të tjerët” shtoi ajo.