Lajme

KFOR i vendosur: Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë policisë së Kosovës nëse duhet dhe nëse kërkojnë

04/15/2022 16:14
nga:Astrit Gashi

Misioni i KFOR-it ka dënuar ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës sot në veri të vendit dhe ka shprehur gatishmëri për të mbështetur Policinë e Kosovës nëse u kërkohet.

Një zyrtar i KFOR-it i Radios Evropa e Lirë se presin nga palët që të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet.

“Misioni i KFOR-it dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe e kërkuar”, tha zyrtari i KFOR-it.

Ai tha poashtu që presin nga palët që të përmbahen nga veprimet që mund ta përshkallëzojnë tensionet.

“Ne presim që të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi dhe konstruktivitet, dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet, të ndikojnë negativisht në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha zyrtari i KFOR-it.

Sulmin ndaj policisë së Kosovës në Zubin Potok në orët e hershme të mëngjesit të sotëm e kanë dënuar kryeministri Kurti, Presidenca dhe Zyra e BE-së në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se sot, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.