Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj thotë se barrikadat e vendosura në veri që 11 ditë kanë paralizuar jetën në atë pjesë të Kosovës, raporton GazetaBlic.
Në një prononcim për GazetaBlic, Qalaj thotë se qytetarët serb kanë gjetur rrugë alternative për në Serbi, por është bllokuar policia e Kosovës.
“Është dita e 11 e barrikadave në veri, barrikada që e kanë bllokuar plotësisht lëvizjen e lirë, kanë bllokuar edhe policët në Jarinjë. Me një fjalë, janë barrikada që e kanë paralizuar jetën në atë pjesë, vetëm për policinë e Kosovës sepse sipas informatave që unë kam, qytetarët serb lëvizin nëpër rrugë alternative për në Serbi dhe poashtu pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it nuk lejohet që të kalojnë. Pra, këto barrikada janë vënë vetëm për Policinë e Kosovës”, tha Qalaj.
Qalaj ka folur edhe për deklaratën e kryeministrit Kurti, ku ky i fundit tha se “KFOR’i po na kërkon pak kohë për heqjen e barikadave, po i presim”.
Qalaj thotë se kjo deklaratë është skandaloze, pasi sipas tij Kurti po harron që Policia e Kosovës e ka mandat ligjor të sigurojë lëvizjen e lirë, ndërsa KFOR-i ka mandat sigurimin e vijës kufitare me Serbinë.
“Deklarata e kryeministrit Kurti është skandaloze, sepse ai po harron që ka institucione për zbatimin e ligjit, siç është policia e Kosovës e cila ka mandat ligjor të sigurojë lëvizjen e lirë, në të gjitha pjesët e vendit përfshirë këtu edhe komunat veriore”, tha Qalaj.
“Ndërsa, mandati i KFOR-it nuk është që të lëviz barrikada. KFOR-i për momentin ka mandat, sigurimin e vijës kufitare me Serbinë. Barrikadat është dashtë që të hiqen qysh në ditën e parë”, përfundoi Qalaj për GazetaBlic.
Vjen paralajmërimi i fortë: Në Veri ka rrezik për luftë/ barrikadat të hiqen nga Policia e Kosovës!


