Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR po vazhdon me aktivitetet e tij patrulluese në terren gjithandej vendit.
Sipas një njoftimi të KFOR-it në Facebook, batalioni i Komandës Rajonale Perëndim me ushtarë italianë zhvilloi një sërë aktivitetesh patrulluese dhe mbikëqyrëse në bjeshkët e komunë së Istogut.
“Aktivitetet u zhvilluan në kushte ekstreme për shkak të temperaturave të ulëta dhe dëborës në terren ku operonin ushtarët italianë”, thuhet në njoftim.
Tutje KFOR-i thekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë.
Pas sulmit të fundit terrorist mbi infrastrukturën kritike në kanalin e Ibrit në Varragë, është shtuar vigjilenca e organeve të rendit, duke përfshirë edhe misionin e KFOR-it në të gjithë territorin e vendit.