Barcelona mbrëmë arriti fitore të madhe si mysafire e Villarrealit.
“Blaugranët” triumfuan me shifrat 4-1, mirëpo kjo ra në rend të dytë për klubin, pasi portieri Marc-Andre ter Stegen u lëndua keq.
Portieri gjerman u desh të zëvendësohej qysh në pjesën e parë, dhe u largua me barrelë nga fusha e lojës.
Ter Stegen raportohet se ka problem me gjurin e tij të djahtë, për të cilin problem do t’i nënshtrohet menjëherë operacionit.
Presidenti i La Ligas, Javier Tebas i ka dhënë një mundësi Barcelonës që të nënshkruajë me një lojtar të ri, i cili mund të mos jetë portier.
Gjatë ditës së sotme, ishte ish-portieri i Barcelonës, Claudio Bravo që ka dhënë një deklaratë të fuqishme.
Ai ka thënë se do të kthehej nga pensionimi për t’i ndihmuar ish-klubit të tij.
Mirëpo, orëve të fundit është përmendur edhe një emër tjetër për të zëvendësuar Ter Stegenin e lënduar.
Është ish-portieri i Real Madridit, Keylor Navas i cili i është ofruar Barcelonës.
Ai është shprehur i gatshëm për të zëvendësuar Ter Stegenin, derisa është ende lojtar i lirë.
Raportohet se paga e tij nuk do të jetë problem për Barçën, e cila po ashtu po kalon në një krizë financiare viteve të fundit.
Navas së fundmi ishte pjesë e PSG-së, derisa më herët kishte qenë në huazim edhe te Nottingham Forest.
I njohur në futbollin spanjoll u bë te Levante, teksa periudhën e tij më të lavdishme e kaloi te Real Madridi, duke qenë portieri numër një në kohën kur “Los Blancos” e fitoi tri herë radhazi Ligën e Kampionëve.