Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sot bëhen katër vite që nga mbledhja e parë e Qeverisë që ai drejton, e mbajtur në mars të vitit 2021.
Ai ka shtuar se me qeverinë e tij, për herë të parë në veri të Kosovës është duke u paguar rryma.
“Këto katër vite të mandatit tonë kanë ‘vlejtur fort’,” ka deklaruar ai.
“Sot, më 26 mars 2021, qeveria jonë mbajti mbledhjen e saj të parë. U ballafaquam me pandeminë, krizën energjetike dhe inflacionin. Pavarësisht sulmeve paramilitare dhe terroriste, si dhe zhurmës së debateve publike, qeveria jonë ka arritur rezultate të jashtëzakonshme. Me ne, lëvizim pa viza në Evropë dhe nuk lëviz kufiri në veri.”
“Sistemi shëndetësor publik në Kosovë është përmirësuar dhe është bërë më i lirë, duke ofruar më shumë shërbime. Në mandatin që na pret, e që mezi e presim, do të vazhdojmë investimet. Për herë të parë, në katër komunat në veri po paguhet rryma dhe ka filluar të faturohet edhe tatimi në pronë. Tabelat dhe patentë-shoferët ilegalë nuk ekzistojnë më, pasi janë konvertuar. Gjithashtu, për herë të parë pas një kohe shumë të gjatë, kemi pasur rritje të pensioneve”.
“Rreth 70 mijë nëna lehona kanë marrë për herë të parë shtesa nga shteti. Tre herë kemi rritur pagat në sektorin publik, ndërsa pagën minimale në sektorin privat e kemi rritur dy herë, dhe do ta rrisim përsëri në mandatin tjetër. Varfëria është ulur, papunësia është ulur”, ka përfunduar Kurti. /Ekonomia Online