Lajme

Këto janë të gjitha vendimet që i mori sot Qeveria e Kosovës

08/25/2021 14:16
nga:Gazeta Blic

Qeveria e Kosovës sot e ka mabjtur mbledhjen e radhës, me ç’rast u morën një numër vendimesh.

Në vazhdim e gjeni kumtesën e plotë të Qeverisë së Kosovës:

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 31-të, në të cilën ka aprovuar Projektligje dhe vendime të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Këtë mbledhje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e filloi me një fjalë mbi rastin tragjik të vrasjes së vajzës 18-vjeçare, Marigona Osmani nga Ferizaj, e cila dyshohet se vdiq nga dhuna që ushtroi mbi të partneri i saj.

“Me formën më të rëndë dhe më çnjerëzore u shfaq dhuna mbi vajzën, mbi gruan, mbi Marigonën, së cilës dje ia dhamë lamtumirën.

Dhe ne sërish u ndjemë të pafuqishëm përpara një vdekje të jashtëzakonshme.

Unë nuk guxoj t’i mendoj orët e tmerrshme të fundit të jetës së një vajze të brishtë e të re. Nuk guxoj. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë më. Pas një veprimi të tillë na shuhen shpresat, na bien fuqitë. Vrasësi nuk ka njohur asgjë nga Marigona, veç moshës së saj. Ai nuk ka parë asgjë të bukur. Viktimën e njohëm nga humbja e saj, nga dhuna që u ushtrua mbi të, kurse të dyshuarin për vrasjen e saj nga biografia e tij. Kjo është gjendja jonë shoqërore e jashtëzakonshme.

Një indiferencë e përgjithshme nga rrethi shoqëror dhe organet e drejtësisë – e instaluar ndër vite e vite – ka bërë që në kokat tona të mbeten emra grash, viktima të një dhune të tmerrshme.

Ne nuk duhet të lejojmë që kujtesa jonë të mbushet edhe me emra të tjerë grash e vajzash, viktima të sjelljes barbare. Një edukim i tërë shoqëror – në çdo nivel shkollimi dhe organizimi – duhet të thellojë ndjeshmërinë dhe respektin. Duhet edukuar shpirti dhe arsyeja.

Nuk mund të tolerohen më xhepa të çmendurisë vrastare dhe as indiferenca. Drejtësia është çështje e shoqërisë në tërësi. Baza e drejtësisë është respekti i tjetrës, i tjetrit, i njeriut.

Sot ngushëllojmë familjarët e Marigonës, por ngushëllimi në rastet e vdekjeve të tilla mizore i takon secilit prej nesh. Ndërkaq përgjegjësia tërë trupës shoqërore”, tha kryeministri Kurti në fillim të mbledhjes.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme është bërë ndryshimi dhe plotësimin e Programit Legjislativ për vitin 2021. Sipas vendimit ndryshohet afati i miratimit në Qeveri të 30 projektligjeve ndërsa shtohen në Programin Legjislativ për vitin 2021 edhe 13 tjera. Tërhiqet nga Programi Legjislativ për vitin 2021 Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-59 për Filarmoninë, Operën dhe Baletin .

Qeveria në vazhdim ka shqyrtuar dhe miratuar 5 (pesë) projektligje:

1. Projekt Kodi i Procedurës Penale që do të rregullojë gjykimin në mungesë dhe dënimin e krimeve të luftës si dhe suspendimin e të gjithë zyrtarëve publik ndaj të cilëve zhvillohet procedura penale.

2. Projektligji për Provimin e Jurisprudencës që do të sigurojë transparencë në vlerësimin kandidatëve dhe lehtësira për kandidatët që vijnë nga Lugina e Preshevës dhe që kanë leje qëndrimin e rregulluar në Republikën e Kosovës.

3. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar që do të qartësojë procedurat e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar.

4. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas që do të përfshijë edhe 10 kategori si përfitues të ndihmës juridike falas. Do të përfshihen në këto kategori: viktimat e dhunës në familje; viktimat dëshmitare të dhunës që janë në varësi të viktimave të dhunë në familje; viktimave të dhunës në baza gjinore; viktimave të cilado lloj e dhunë seksuale, përfshirë edhe ngacmimet seksuale; viktimave të mitur; fëmijëve në kujdestari që kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor; personave të cilëve u është cenuar e drejta nëpërmjet një veprimi ose mosveprimi që përbën diskriminim, bazuar në vendimin e organit kompetent sipas ligjit në fuqi për mbrojtje nga diskriminimi; dhe personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

5. Projektligji për Dërgimin e Forcës së Sigurisë Jashtë Vendit që do të rregullojë bashkëpunimin me forcat ushtarake të vendeve partnere të Republikës së Kosovës

Është emëruar edhe Komisioni Shtetëror për pranimin në pozitat e kategorisë së lartë drejtuese në këtë përbërje:

2. Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive në ABGJ/ZKM, kryesuese;

3. Arton Berisha, Drejtor i Përgjithshëm i AKSP, anëtar;

4. Ramiz Krasniqi, Drejtor i KPMM, anëtar;

5. Bedri Xhafa, organizata të specializuara, anëtar;

6. Safet Fazliu, organizata të specializuara, anëtar.

Kabineti qeveritar përmes vendimit të miratuar në mbledhjen e sotme i ka kërkuar Presidentes së Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, për Projektin “Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë – Gaza 1”. Marrëveshja synon realizimin e një mbështetje në avancimin e administrimit të ujërave në nivel kombëtarë dhe parasheh një mbështetje financiare në total prej 20 milionë frangave zvicerane.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe nisma për negocimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për- projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”. Marrëveshja synon t’i sigurojë 47 milionë euro si asistencë e financimit të këtij projekti nga Asociacioni Ndërkombëtarë të Zhvillimit.

Me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është aprovuar vendimi për aprovimin e ndryshimeve për regjistrat kontabël të harmonizuara me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. Vendimi do të rregullojë ndarjet buxhetore të ministrive të prekura nga procesi i ristrukturimit të Qeverisë dhe do të rregullojë edhe raportimin e shpenzimeve buxhetore.

Vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr.13/19 të datës 14.07.2021 i miratuar në mbledhjen e sotme ndryshon titullin e masës 3.5 në “Pagesa për Lehonat dhe Shtesat për Fëmijë- 7 mil EUR”.

Shqyrtimi i Kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të bëhet shpërndarja e dividendës nga ndërmarrjet publike KOSTT, Sh. A. dhe KEK, Sh. A.. KOSTT Sh.a. i kërkohet ndarja e dividentes në vlerë 20 milionë euro ndërsa KEK Sh.a i kërkohet ndarja e dividendës në vlerë 10 milionë euro.

Qeveria ka themeluar Grupin Punues Ndër-institucional për ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për zgjidhjen e problemit të pagesës së policës kufitare për bashkatdhetarët në përputhje me praktikat ndërkombëtare të aplikueshme, përfshirë edhe ndërmarrjen e hapave per anëtarësim në Kartonin e Gjelbër. Grupi Punues Ndër-institucional do të përbëhet nga:

7. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – kryesues;

8. Ministria e Punëve të Brendshme – anëtar;

9. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës – anëtar;

10. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës – anëtar;

11. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës – anëtar; dhe

12. Byroja Kosovare e Sigurimit – anëtar.

Qeveria ka ndarë mjete buxhetore në shumë prej 15,000,000 C (pesëmbëdhjete milion euro) për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për zbatimin e Vendimit të Qeverisë, Pakoja e Ringjalljes Ekonomike. 5 (pesë)milionë ndahen për masën e rikthimit në punë të atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë; 5 (pesë) milionë për masën e mbështetjes për të punësuarit e formalizuar; dhe 5 (pesë) milionë për masën e mbështetjes së punësimit të grave.

Gjithashtu është miratuar edhe vendimi për aprovimin e ndarjes së mjeteve buxhetore në shumë prej 12,000,000 € (dymbëdhjetë milionë euro) për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për zbatimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 13/19 të datës 14.07.2021, Pakoja e Ringjalljes Ekonomike. Katër (4) milionë € për masën e mbështetjes të familjeve që kanë humbur kryefamiljarin nga pandemia COVID-19; një (1) milion € për masën e sigurimit të kuponave të ushqimit për familjet në nevojë; shtatë (7) milionë € për masën e pagesës për lehonat dhe shtesat e fëmijëve, këto mjete ndahen 3.7 milionë € (tre milion e shtatëqind mijë) për pagesën e lehonave dhe 3.3 milionë € (tre milion e treqind mijë) për pagesën e shtesave për fëmijë.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për aprovimin e pagesës së shtesës neto prej 10% të pagës bazë, por jo më pak se 60 € (gjashtëdhjetë euro), për punonjësit shëndetësorë të sektorit publik (profesionistët shëndetësorë dhe stafin mbështetës), për muajt Gusht, Shtator dhe Tetor 2021, në shumë totale prej 2,700,000 € (dy milionë e shtatëqind mijë euro), në zbatim të masës për mbështetje të shëndetësisë, bazuar në Vendimin e Qeverisë Nr. 13/ 19 të datës 14.07.2021.

Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për zbatimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 13/19 të datës 14.07.2021, për masën 2.1. nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike për zbatimin e masës për subvencionimin e kredive investive për prodhuesit vendorë.

Katërdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e njëzet e pesë (49,925) euro mjete buxhetore janë alokuar në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal nga Projekti ”Programi per Zhvillim Rajonal“ ne një projekt kapital në përputhje me Marrëveshjet e Mirëkuptimit per projektet kapitale të nënshkruara nga Ministër i Zhvillimit Rajonal dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit për mbështetje të aktiviteteve të komuniteteve në këtë komunë.