Lajme

Këto janë pikat kryesore të programit të Qeverisë Kurti!

05/07/2021 15:52
nga:Gazeta Blic

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka paraqitur para ministrave planin e tij qeverisës, raporton Gazeta Blic.

Ai ka përmendur dy objektivat kryesore të qeverisë së tij: Menaxhimi i pandemisë dhe lehtësimi i pasojave ekonomike.

“Masat që do t’i ndërmarrim do t’i mbështesin punëtorët që kanë humbur vendet e punës, të punësuarit për herë të parë dhe bizneset. Ne do të aplikojmë me kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se nuk do ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme pasi që sipas tij do bëhet reforma e skemës sociale.

“Do të sigurojmë shtesa për fëmijë e punësim të garantuar sezonal për një anëtarë të familjes. Përmes rritjes së pagës në 250 euro për 40 orë punë do të sigurohemi që ata që kanë paga më të ulëta të kenë më shumë para në xhep në fund të muajit. Do t’i trajtojmë me prioritet mbrojtjen e resurseve natyrore e mjedisit”, ka thënë tutje.

“Deri në fund të mandatit do të ketë pesëfishim të inspektorëve të punës. Do të aplikojmë dhe anëtarësohemi në Kartën e Atlantikut Dialog parimor me Serbinë për njohje reciproke. Do të afrohemi dhe bashkëpunojmë ngushtë me Shqipërinë. Do ta përgatisim padinë për gjenocid në GJND-së”.

Shefi i Qeverisë ka premtuar vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve deri në fund të vitit.

“Vitin e ardhshëm do të shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit”, ka theksuar Kurti, derisa ka shtuar se ndër prioritetet kryesore do të jetë edhe luftimi i krimit dhe i korrupsionit.

Kurti ka paralajmëruar hapjen e 160 çerdheve.

Kurti: Do ta përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë