Lajme

Këto janë mëditjet që deputetët kanë marrë nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit

08/04/2021 18:18
nga:M K

Ani pse ka vetëm rreth 4 muaj prej konstituimit të legjislaturës së tetë, deputetët e Kuvendit nuk ia lanë keq udhëtimeve zyrtare jashtë Kosovës.

Të zgjedhurit e popullit kanë marrë gjithsej 1 mijë e 426 euro mëditje nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit. Ndërsa, akomodimi i tyre, i kushtoi buxhetit të shtetit 1 mijë 134 euro, që bashkërisht çojnë në shumën e 2 mijë e 560 euro.

Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në udhëtimin zyrtar në datat 4-6 qershor në Shqipëri mori 117 euro mëditje. Shifër të njëjtë të mjeteve financiare, mori edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në udhëtimin e njëjtë në Shqipëri. Njësoj, edhe deputetja e LVV-së, Jeta Statovci, ndërsa nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci për katër ditë të qëndrimit në Shqipëri mori 160 euro mëditje.

Ndërsa, për datat 4 dhe 5 qershor, në udhëtimin në Shqipëri, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa mori 78 euro mëditje.

Në raportin që ka siguruar KosovaPress të shpenzimeve të Kuvendit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, shihen në detaje edhe mëditjet të deputetëve në udhëtimin zyrtar në shtetin e Turqisë.

Shuma më të mëdha të mëditjeve morën deputetët e LVV-së, Fitore Pacolli-Dalipi, Fitim Uka, Jeta Statovci dhe Mefail Bajqinovci që gjatë këtij udhëtimi në datat 20-23 qershor. Për këtë vizitë, të njëjtit morën 180 euro mëditje.

Mëditje prej 121 euro mori edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj për vizitën e tij në shtetin e Bosnjës dhe Herzegovinës në datat 27-29 maj 2021.

E akomodimi i tyre, buxhetit të shtetit i kushtuan gjithsej 1 mijë e 134 euro. /KP/