Sporti

Këto janë kombëtaret e kualifikuara deri më tash në ‘Euro 2024’

10/18/2023 10:06
nga:Mergim Rreci

Grupet e kualifikueseve të Euro 2024 po marrin formë dhe gjithashtu kanë mbetur e pak përballje deri në përfundim të kësaj faze seleksionuese.

Skuadrat kombëtare kanë filluar të rezervojnë vendet e tyre për në Gjermani. 24 ekipe në total do të marrin pjesë dhe një pjesë e mirë e tyre presin nëntorin për të mësuar fatin e tyre në këtë edicion.

Belgjika është një nga skuadrat e para që ka prerë biletën për në Berlin, pasi kaloi Grupin F. Dy herë fituesit e kampionatit Europian, Franca, ka kaluar Grupin B duke u renditur në krye të saj. Franca shihet si një ndër skuadrat favorite për të fituar këtë turne prestigjioz.

Portugalia e Cristiano Ronaldos gjithashtu ka siguruar biletën, duke mposhtur çdo ekip që i ka dalë përpara në Grupin J. Kjo është hera e nëntë në historinë e tyre që garojnë në Kampionatin Europian.

Spanja u është bashkuar kombeve të tjera në avionin që niset për në Gjermani. Një fillim paksa i turbullt, por në fund morën timonin në dore dhe gjetën rrugën për në krye të Grupit A. Nuk është më ajo Spanja që mbajmë mend dikur me lojtarë si Xavi, Iniesta, Pique dhe të tjerë, por tashmë është një grup talentësh që shfaqin spektakël të jashtëzakonshëm, duke u bërë një pretendente për ta fituar Europianin.

Në grupin e Spanjës, edhe Skocia ka gjetur rrugën e duhur për t’u kualifikuar, duke marrë pjesë kështu për herë të katërt në histori në këtë turne.

Një paraqitje e çuditshme, por Turqia arriti të kualifikohej në Grupin D dhe të niset për në Gjermani.

Austria e Grupit F gjithashtu ka prerë biletën e artë. Një skuadër e udhëhequr nga Sabitzer, arritën të merrnin pikët e duhura për t’u kualifikuar në Euro 2024.

Anglia mposhti dje në mbrëmje Italinë dhe kështu siguroi një vend pasagjeri për udhëtimin në Gjermani. “Tre Luanët” shpresojnë të bëjnë më mirë se herën e fundit në këtë kompeticion, pasi në Euro 2020 ata u mposhtën në finale prej penalltive nga Italia.

Grupi ynë ende nuk është mbyllur, por kombëtarja e Shqipërisë mbetet në krye të saj duke pritur ndeshjen e radhës ndaj Moldavisë, ku në këtë sfidë të nëntorit, nëse marrim rezultat pozitiv, do të fillonim festën e madhe e kualifikimit për herë të dytë në histori në Kampionatin Europian.