Përparim Rama ka dhënë betimin si kryetar i kryeqytetit, para anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Në mbledhjen inauguruese të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, janë betuar anëtarët e rinj të kuvendit dhe kryetari i ri i kryeqytetit, Përparim Rama.
“Nga sot, ne iu përvishemi punëve. Prishtina do të jetë qytet i fëmijëve, të moshuarave, prindërve, sportistëve e artistëve. Vend plot mundësi, qytet i gjelbër. Me trafik të komunikueshëm e i digjitalizuar”, ka deklaruar kryetari Rama.
“Të nderuar asamblistë, si kryetar i Prishtinës, do të bashkëpunoj me secilin prej jush, për të mirën e kryeqytetit, për Prishtinën”, ka thënë Rama.
Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës doli fitues në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku ishte në garë me Arben Vitinë e Lëvizjes Vetëvendosje.