Sot zhvillohen dy ndeshjet e fundit të xhiros së 19’të të Superligës së Kosovës.
Në stadiumin ’18 Qershori’ në Klinë me fillim nga ora 13:00 do të përballen Dukagjini me Prishtinën.
Këto dy skuadra u ndeshën me njëra-tjetrën edhe javën e kaluar, por në kuadër të Kupës së Kosovës. Ishin kryeqytetasit që triumfuan me rezultat 3-1 dhe vazhduan tutje.
Bardhë e kaltrit janë në pozitën e katërt në tabelë me 27 pikë, kurse klinasit renditen dy vende më poshtë me pesë pikë më pak.
Ndeshje interesante pritet të zhvillohet edhe në Mitrovicë. Në stadiumin ‘Riza Lushta’ nga ora 13:00 në fushën e blertë do të zbresin lojtarët e Trepçës’89 dhe Dritës.
Të dyja skuadrat do të kërkojnë pikët e plota marrë parasysh pozitat që gjenden në tabelë. Mitrovicasve i nevojiten në luftën për mbijetesë, teksa ‘Intelektualëve’ në garën për titull.
Skuadra e udhëhequr nga Shpëtim Idrizi gjendet në vendin e parafundit me 19 pikë, kurse Drita në pozitën e dytë me 38 pikë.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme u zhvilluan tre ndeshje në elitën e futbollit kosovar: Malisheva-Ballkani (2-4), Drenica-Llapi (0-1) dhe Gjilani-Ferizaj (0-0).


