Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se gjatë këtij viti do të ketë një ushtrim të përbashkët në mes të tri ushtrive, të Kosovës, Shqipërisë dhe të Kroacisë.
Ushtrim, sipas tij, do të realizohet së shpejti gjatë këtij viti në Kroaci.
“Dje kishim takim të radhës me ministrin Pirro Vengo dhe ministrin Anushiq, takim që po bëhet në vazhdimësi në kuadër të bashkëpunimit që kemi me Republikën e Kroacisë dhe Republikën e Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Pra dihet që vitin e kaluar kemi nënshkruar një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, një deklaratë të tri vendeve, pra një bashkëpunim trilateral në mes të tri vendeve për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Dje ishte pra një takim si vazhdim i këtij bashkëpunimi, ku normalisht u diskutuan shumë gjëra dhe u diskutuan shumë fusha ku do të vazhdojmë bashkëpunimin”, tha ministri për RTK, gjatë qëndrimit në Konferencën e Sigurisë në Munih.
Sipas Maqedoncit, është për t’u theksuar që është vlerësuar lart takimi që patën shefat e mbrojtjes para disa ditëve në Shkodër, ku u dakorduan edhe për një ushtrim të përbashkët në mes të tri ushtrive, që do të realizohet së shpejti gjatë këtij viti në Kroaci.
“Përveç tjerash, diskutuam edhe për mundësitë për bashkëinvestime në bashkëprodhim në fushën e mbrojtjes, pra së bashku të tri vendet po bashkëpunojnë për të vendosur industrinë e mbrojtjes si një aset të përbashkët për tri vendet. Ideja është që të shikohen mundësitë për bashkëpunim për bashkëprodhim në shumë fusha, por kryesisht të pajisjeve ushtarake, të municioneve, por edhe pse jo të automjeteve dhe sistemeve të tjera të armatimit”, tha ai.
Ministri i Mbrojtjes bëri me dije se në këtë forum, i cili është një ndër forumet më të rëndësishme në botë rreth çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes, ku Kosova po prezantohet nga kryeministri Kurti dhe pjesa tjetër e delegacionit të Qeverisë, përveç takimeve me homologë, janë zhvilluar edhe takime me kompani të ndryshme prodhuese që janë lidere në aspektin e prodhimeve ushtarake.
“Ne realizuam sot takim me drejtorin ekzekutiv të Mercedesit, pra të pjesës së automjeteve taktike ushtarake që i prodhon Mercedes, me të cilët vitin e kaluar kemi realizuar një kontratë trevjeçare për furnizim me automjete taktike nga firma Mercedes, automjete taktike ushtarake që janë ndër më të njohurat në inventarin e ushtrive të botës”, tha ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.


