Rreth 570 milionë euro të hyra deri më tani janë realizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), shifër kjo që mund të rritet deri në fund të këtij viti, duke e tejkaluar planin e të hyrave buxhetore për këtë vit që ka qenë 556 milionë euro.
Për periudhën janar-nëntor të këtij viti, aktualisht ATK-ja ka realizuar mbi 552 milionë euro, që krahasuar me vitin e kaluar, ky institucion ka mbledhur mbi 126 milionë euro apo rreth 30 për qind.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një intervistë për EO, ka thënë se këtë vit kanë mbledhur më shumë krahasuar për 87 milionë euro më shumë se në vitin 2019.
“Për periudhën janar-nëntor të vitit 2021, të hyrat e realizuara kanë qenë 552,7 milionë euro, shumë kjo që krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rezulton që kemi mbi 126 milionë euro më tepër apo rreth 30 për qind. Gjithashtu edhe në raport me planin e rishikuar kemi tejkalim të planit afro 40 milionë euro. Duke e ditur që vitit 2000 ka qenë vit i brishtë, dhe që nuk mund të bëhen krahasime të drejta në raport për të saktësuar efikasitetit e këtij viti, atëherë nëse i referohemi periudhës së njëjtë të vitit 2019, atëherë prapë se prapë këtë vit kemi tejkalim të hyrave për 87 milionë euro, apo 19 për qind”.
“Gjithsesi se edhe gjatë vitit 2021 kemi pasur pandemi dhe kemi pasur periudha të caktuara kur kanë qenë kufizimet e qytetarëve dhe zhvillimit të aktiviteteve nga ana e bizneseve. Mirëpo përkundër kësaj të gjitha sfidave ne sigurisht i kemi krijuar mekanizmat dhe sistem elektronik që përmes saj pretendojmë që vazhdimisht t’i identifikojmë rrisqet tatimore dhe bazuar në ato rezultate, ne i orientojmë resurset tona në luftim të informalitetit në terren, dhe si rezultat i kësaj, ndihmë ka dhënë Qeveria dhe ardhja e diasporës gjatë periudhës verore ka bërë të qarkullojnë bizneset, dhe të gjitha këto faktorë kanë ndikuar që ne sot të kemi rezultate kaq të larta të të hyrave tatimore”.
“… tani kur jemi në përfundim të vitit, aktualisht kemi 570 milionë euro të hyra deri më tani, shumë kjo që konfirmon atë që e kemi tejkaluar planin e të hyrave buxhetore për këtë vit që ka qenë 556 milionë euro, rreth 14 milionë euro më shumë. Pritjet tona janë që me këtë trend që jemi duke shkuar, deri në fund të vitit presim që të kemi një tejkalim mbi 40 milionë euro”, ka thënë ai.
Sfidë tjetër për ATK-në mbetet monitorimi i bizneseve të fiskalizuara. Ai thotë se kohëve të fundit ka ndodhur një fenomen që shumë biznese nuk lëshojnë kuponë fiskal, me ç’rast thotë se kanë shqiptuar një mori të gjobave ndaj tyre.
“Ne vazhdimësi mundohemi t’i eliminojmë faktorin njeri dhe në këtë rast, bëjmë përpjekje maksimale që fokusi jonë të jetë i orientuar bazuar në sistemin elektronik. Këtë rast në periudha të caktuara ne kemi pasur aktivitete gjatë periudhës javore tek gastronomia, pastaj hotelieri, ku e dimë se në periudhën e pandemisë, një numër i caktuar i bizneseve e bën si fenomen mos lëshimin e kuponëve fiskal dhe këtë rast ne kemi qenë të detyruar që ta monitorojmë këtë proces, dhe është vërtetuar se ka pasur një rritje të mos zbatimit të ligjit në drejtim të mos lëshimit të kuponëve fiskal nga ana e bizneseve të cilat kanë qenë të fiskalizuara”.
“Si rezultat i këtyre masave, ne i kemi shqiptuar një mori gjobash ndaj atyre bizneseve, por që i gjithë ai aktivitet nuk ka qenë në fokus që të aplikohen ndëshkime por fokusi jonë ka qenë monitorimi i zbatimit e ligjit, por njëkohësisht t’i përkujtojmë të gjitha bizneset që janë të detyruar ta zbatojnë ligjin, siç është e përcaktuar me dispozita ligjore”,
Ndërsa borxhi i bizneseve ndaj ATK-së, kap shifrën e rreth 430 milionë eurove, teksa Murtezaj thotë se viteve të fundit këtë borxh kanë arritur ta ulin për 6 për qind, duke u mundësuar bizneseve që borxhin ta paguajnë përmes kësteve.
“Në vazhdimësi ATK-ja për 19 vite vazhdimësi ka qenë e vlerësuar mirë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, sepse dihet që ka qenë duke u rritur stoku i borxheve, mirëpo në vitin 2019, siç e kemi proklamuar vazhdimësi ka ndodhur një rikthim i madh, që duke e arritur që për herë të parë pas 19 viteve që ta ndalim atë trendin e rritjes së stokut të borxheve dhe ta ulim për 6 për qind ose në vlerë mbi 20 milionë euro”.
“Vitit 2020 ishte vit pandemik dhe sikurse në gjithë botën kemi qenë të detyruar të krijojmë zgjidhje ligjore, që t’u mundësojmë që borxhet e papaguara t’i programojnë përmes marrëveshjeve me pagese me këste. Me këtë rast kemi arritur që ta trefishojmë vlerën e borxhit i cili është programuar gjatë vitit 2020 në raport me vitin 2019. Stoku i borxhit aktual është rreth 430 milionë euro”, ka thënë ai.