Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka konfiskuar 73 kilogramë drogë të llojit heroinë, para të gatshme, telefona dhe vetura, në tri lokacione në rajonin e Ferizajt. Në lidhje me rastin janë arrestuar 15 persona.
Insajderi ka mësuar se 9 nga ta janë shtetas kosovarë ndërsa 6 të tjerë janë shtetas turk. Po ashtu mosha më e re e te arrestuarve është 20 vjeç.
Lidhur me ta, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurve S.Sh., A.D.,V.N.,S.D., A.Sh., B.H., S.Sh., S.H., M.Sh., Z.S., F.D., M.Y., A.D., H.I., dhe S.Y.,(shtetas të Republikës së Turqisë), të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.
Emrat e personave të arrestuar janë:
1. Selman Shabani 20 vjeçar
2. Atik Shabani 22 vjeçar
3. Samir Hyseni 24 vjeçar
4. Murat Yalmaz 28 vjeçar
5. Valdrin Neziri 30 vjeçar
6. Faruk Diri 33 vjeçar
7. Avdulvehap Diri 39 vjeçar
8. Sylejman Yuruk 40 vjeçar
9. Halit Irez 41 vjeçar
10. Zafer Serkan 44 vjeçar
11. Sefedin Drenjani 44 vjeçar
12. Besim Hyseni 49 vjeçar
13. Mufail Shabani 52 vjeçar
14. Sahit Shabani 55 vjeçar
15. Afrim Drenjani 56 vjeçar
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se që nga muaji nëntor 2021 deri më 23 maj 2022, të pandehurit duke vepruar si anëtar të grupit, kanë poseduar me qëllim të shitjes, gjashtëdhjetë e shtatë (67) kilogram narkotik të llojit heroinë, të cilën fillimisht si lëndë të parë e kanë marrë në Iran e pastaj përmes Turqisë e kanë sjellë në Republikën e Kosovës, me çka kryen veprën penale “Blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe naloge” nga neni 267 par 2 lidhur me nenin 275 par 1 nën par 1 .1 të KPRK-së .