Katër vjet pas një fondi të dhënë nga Bill dhe Melinda Gates prej 710,000 dollarësh për tualetin pa ujë, shkencëtarët kanë marrë një tjetër shtysë.
Tualeti Nano Membrane, të cilit i është dhënë emri nga studiuesit e Universitetit Cranfield, ka marrë fondin më të madh pas kaq shumë kohësh duke qenë se fondet e mëparshme te premtuara nuk janë dhënë.
Studiuesit do t’i përdorin këto para për të krijuar prototipet dhe për t’i vendosur ato në punë kryesisht në Afrikë.
Statistikat tregojnë se më shumë se 2.4 miliardë njerëz në të gjithë botën jetojnë në kushte johigjienike.
Ka vende të varfra, të cilat kanë probleme me ujin që përdorin, pasi ai është i mbushur me baktere dhe substanca të ndryshme, që shkaktojnë sëmundje të ndryshme te njerëzit.
Pra, misioni i këtyre studiuesve është të largojnë sëmundjet e marra nga uji në vendet e varfra.
Alison Parker, një studiuese në International Water and Sanitation në Cranfield Water Science Institute (Uji dhe kanalizimet në Institutin Shkencor të Ujit në Cranfield), thotë se modeli i krijuar nga skuadra e saj ka për qëllim të shërbejë për zonat e varfra urbane.
“Ky tualet do të përdoret në zonat e dendura urbane, ku një sërë faktorësh e bëjnë sigurimin e kanalizimeve shumë të vështirë.
Do të bëhet e mundur gjithashtu që këto tualete të mirëmbahen nga persona të caktuar, duke qenë se duan mirëmbajtje çdo gjashtë muaj”, – thotë Parker pas marrjes së shumës.
Si funksionon?
Kur personi ka kryer nevojat e tij personale në tualet, mjafton të mbyllë kapakun dhe pjesa e brendshme e tualetit do të kthehet 270 gradë në mënyrë që të depozitojë mbetjet nën të.
Më pas, një fshirëse do të arrijë të fshijë tasin në mënyrë që të mos mbetet asnjë mbetje.
Mbetjet e lëngëta do të lëvizin në një tub i cili është i mbushur me fibra shumë të holla ose ndryshe nanofibrat, të cilat ndihmojnë në lëvizjen e mbetjes.
Mbetjet e ngurta kalojnë në një kuti e cila është e lyer me shtresë qiriu dhe lihet aty deri sa thahet.
Çdo javë një teknik shkon aty për të hequr mbetjet dhe të pastrojë në mënyrë të detajuar tualetin.
Këto mbetje do të përdoren më vonë për të krijuar energji.
Sipas Parker, këto tualete do të shpëtojnë 0.50 dollarë shpenzime në ditë për të varfrit.
Sigurisht, ky tualet është ende në krijim e sipër pasi nuk është edhe aq e lehtë në praktikë.
Një risi tjetër që do të sjellë ky tualet është edhe punësimi i shumë njerëzve për mirëmbajtjen e tij
Gjithashtu nuk është zgjidhur ende problemi i letrës higjienike që do të përdoret në këtë tualet.
Në të ardhmen ekipi shpreson që letrën higjienike të mundë ta djegë, pavarësisht se nuk është shumë e mirë për ambientin.
Sigurisht që kjo shpikje është një zgjidhje për vendet e varfra, por ka ende vend për përmirësim.