Sporti

Këshilltari ligjor i Thiago Silvas flet për GazetaBlic Sport: Ai është model profesional, eksperienca me Chelsean më e mira e mundshme

01/06/2022 11:31
nga:Lorik J

Thiago Silva është pa asnjë dyshim një nga lojtarët më të mirë në botë në pozicionin e tij në vitet e fundit.

Pavarësisht se është në moshën 38 vjeçare, Thiago Silva po tregon paraqitje fantastike me Chelsean në çdo ndeshje që ai zhvillon, shkruan GazetaBlic Sport.

Falë paraqitjeve fantastike që kishte me skuadrën e Chelseat vitin e kaluar, ku fituan Champions Leaguen, “Blues” para pak ditësh kanë vendosur që të shpërblejnë lojtarin duke ia rinovuar kontratën edhe për një vit tjetër.

“Të luash këtu në Chelsea është një kënaqësi e vërtetë, do të jap gjithçka për të vazhduar të luaj në këtë nivel në ligën më të rëndësishme në botë”, kishte thënë Thiago Silva për faqen zyrtare të Chelseat pas nënshkrimit të kontratës së re me klubin e madh anglez.

Megjithatë për të arritur suksese të mëdha në karrierën sportive duhet të kesh një ekip të madh mbrapa vetes që përkujdeset për çdo lëvizje si brenda dhe jashtë vijave të fushës së blertë.

Një person i cili qëndron gjithmonë afër Thiago Silva është braziliani, Luis Fernando Pamplona Novaes.

Luis Novaes është këshillues ligjor i mbrojtësit Thiago Silva dhe normalisht i afërt në çdo lëvizje të lojtarit në karrierë.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Luis Fernando Pamplona Novaes ka theksuar se për të është privilegj që punon me lojtarë si Silva, teksa shpjegoi se sa i përkushtuar është futbollisti në botën e futbollit.

“Thiago është një model profesional. Jashtëzakonisht inteligjent dhe 100% i fokusuar në futboll dhe konkurrencë. Ai stërvitet edhe në shtëpinë e tij, nuk pi dhe kujdeset mirë për ushqimin. Ai ka një ekip jashtëzakonisht të zellshëm profesionistësh (avokatë, kontabilistë, fizioterapistë, media, etj.) që punojnë për të gjithmonë nën mbikëqyrjen e agjentit të tij, i cili është me të që nga fillimi. Në jetën e tij personale është e njëjta gjë. Bashkëshortja e tij është pranë tij që nga fillimi duke mbajtur gjithmonë fokusin në karrierën e tij futbollistike”, tha fillimisht Noaves.

Eksperienca e Thiago Silvas dhe Novaes me Chelsean duket se është perfekte dhe këtë e konfirmon edhe vet këshilluesi i lojtarit.

“Eksperienca jonë me Chelsean është më e mira e mundshme. Ishte vendimi i duhur në kohën e duhur. Thiago ndihet rehat për të dhënë më të mirën e tij dhe rezultati flet vetë”, vazhdoi Luis.

Përveç Thiago Silvas, Luis punon edhe me lojtarë tjerë brazilian, të cilët synon që vazhdimisht t’i promovojë në Evropë dhe rajon, pasi dihet se Brazili njihet për talentë të shumtë të sportit të futbollit.

“Ne transferuam disa lojtarë në rajon gjatë viteve të fundit, duke përfshirë këtu Bosnjën dhe Kosovën. Është një vend i mirë për të punuar, sepse niveli i konkurrencës është i mirë dhe ju keni mundësinë të luani kualifikimet për kompeticionet evropiane dhe të paraqiteni në kompeticionet e mëdha”, zbuloi ai.

Në fund, ai tha se po punon që lojtarët që ai ka në menaxhim të jenë sa më të suksseshëm dhe të promovohen në ligat më të forta evropiane dhe ballkanike.

“Futbolli është më i globalizuar se kurrë. Po shohim shumë lojtarë nga Ballkani që luajnë në ligat kryesore si Italia dhe Spanja. Mendoj se rritja e lojtarëve të huaj dhe veçanërisht latinë në rajon mund të jetë me vlerë të madhe sepse është një mundësi për të ndërthurur profile të ndryshme. Edhe kur keni një ligë që është më fizike, është e rëndësishme të keni lojtarë që mund të mbajnë topin ose që mund të krijojnë mundësi afër zonës… kjo është diçka që zakonisht lojtarët sulmues brazilianë mund ta ofrojnë”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport