Lajme

Këshilltari i Osmanit për emërimin e kryeprokurorit nga presidentja: Ushtron të drejtën kushtetuese, s’mund të merret si ndikim politik

04/07/2022 22:30
nga:Genita C

Artan Murati, këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, vlerëson se emërimi apo mosemërimi i saj për Blerim Isufajn si kryeprokuror të shtetit nuk mund të konsiderohet si ndikim politik, pasi kjo është e drejtë kushtetuese e Osmanit.

“Në Këshillin Prokurorial nuk ka të drejtë të ndërhyrjes askush, por varet se çfarë konsideroni ndërhyrje. Nuk është ndërhyrje politike, pasi kjo ka të bëjë me ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetuese të presidentes, pasi ajo emëron kryeprokurorin, prokurorët, ambasadorët, komandantin e FSK-së, kryetarin e KQZ-së e kështu me radhë”.

“Ushtrimi i të drejtave kushtetuese nuk mund të merret si ndikim politik”.

Murati, në “Rubikon”, thotë se është herët të diskutohet kjo çështje, pasi ende nuk kanë marrë propozimin konkret nga KPK-ja, por edhe kur të marrë propozimin, ajo do të konsultohet me të gjitha palët për të dhënë vendimin e saj.

“Një prej çështjeve kryesore të zhvillimeve të kësaj jave. Zyra e Presidentes ende s’ka pranuar një propozim konkret nga KPK-ja. Ka mbetur edhe një hap i fundit, dorëzimi i këtij propozimi. Në bazë të legjislacionit në fuqi, presidentja nuk ka asnjë ndalesë që të mos e bëjë emërimin e një propozimi. Në këtë moment nuk mund të themi asgjë, pasi ende zyra e presidentes s’ka pranuar asgjë”.

“Pos komenteve të shoqërisë civile, tashmë i janë bashkuar edhe komentet e ambasadave. Do të marrim qëndrime dhe komente nga të gjitha anët për të dhënë vendimin final. Ky parim nuk është vetëm për kryeprokurorin, por për këdo nga pozitat që duhet vendim nga presidentja”.

“Presidentja nga legjislacioni dhe kushtetuta i parashohin kushtet e domosdoshme dhe kushtet, të cilat duhet të ndiqen dhe procesi duhet të ketë disa pika që duhet të ndiqen për të dhënë vendimin final”.

“Nëse shihet praktika gjyqësore e mëhershme dhe legjislacioni në fuqi, presidentja mund edhe të mos emërojë një person, nëse ka pasur shkelje dhe probleme gjatë procesit. Është herët për të diskutuar për këtë. Mund ta emërojë – por është herët. Duhet të trajtohen të gjitha palët dhe për këtë gjë është herët të diskutohet”, tha Murati.