Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, po qëndron për vizitë në Kosovë.
Pos me presidentes Osmani, ai do të takohet edhe me kryeministrin Kurti dhe liderët e opozitës.
Për vizitën e tij dhe mesazhet që mund të sjell, analisti politik Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se vizita po bëhet për kërkimin e rikthimit në dialog.
“Kjo vizitë po bëhet pikërisht për të kërkuar nga Kosova dhe Serbia rikthimin në dialog sepse ashtu janë pajtuar në dakordimet e fundit që kanë pasur për targat në dhjetor”, thotë ai.
Sipas Racit, është Serbia ajo që nuk është e gatshme për t’i vazhduar bisedimet për planin franko-gjerman, derisa Kurti po pret ftesë nga BE për takimin e radhës.
“Kryeministri Kurti e tha para disa ditësh që ka disa muaj që ai po e pret ftesën nga BE për takimin e radhës. Duket që Vuçiq dhe Serbia nuk janë të gatshme për të filluar bisedat për planin Franko-Gjerman”, vlerëson analisti për Gazeta Blic.
Ai shton se ky është viti vendimtar për dialogun dhe se plani evropian duhet të përkrahet, teksa ka shtuar se Kosova duhet të jetë në koordinim të plotë me aleatët për ta finalizuar këtë proces këtë vit.
“Është viti vendimtar që kur dialogu duhet të marrë epilog dhe plani i Brukselit duhet të përkrahet ose jo nga dyja këto shtete që synojnë po ashtu anëtarësimin në BE. Me rëndësi është që Kosova të jetë në koherencë të plotë dhe bashkë koordinim me aleatet për ta finalizuar këtë proces brenda këtij viti”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/


