Lajme

Këshilli i Prindërve për grevën: Ishte e paralajmëruar, ka mundur të ndalohet- palët të nisin dialogun

09/07/2022 12:25
nga:N M

Greva në Arsim po vazhdon në nivel vendi, e që Qeveria dhe grevistët në arsim dhe administratë nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre, raporton Gazeta Blic.

Grevistët po kërkojnë që përmes dialogut me Qeverinë të arrihet një marrëveshje, në mënyrë që mësimi të fillojë në shkollat e Kosovës, por që nga ekzekutivi nuk kanë dhënë asnjë indikacion se mund të këtë ndonjë takim dy palësh për të gjetur një zgjidhje.

E, krejt kjo situatë më së shumti po u dhemb Këshillit të Prindërve të Kosovës, të cilët thonë se përderisa greva po vazhdon askush nuk po merret me dëmet që janë bërë, me pasojat që ka lënë dhe me fajtorët e përgjegjësit e këtyre dëmeve.

Jeton Demi, nga Këshilli i Prindërve, vlerëson se fëmija e arsimi po cilësohet nga palët atakuese të parëndësishëm, andaj edhe po shpërdorohet dhe abuzohet me ta e mbi ta.

“Një e drejtë kushtetuese e fëmijëve njëkohësisht po shkelet (për të shumtën herë) dhe nuk po mbrohet nga institucionet shtetërore (në po kaq herë). Greva ka qenë e paralajmëruar dhe ka mundur të parandalohet”, thotë Demi për Gazeta Blic.

Ai thotë se palët duhet të gjejnë një rrugë për marrëveshje në mënyrë që fëmijët e vendit t`i kthehen mësimit.

Demi thotë se gjendja në Arsim është në pikën më të rëndë nga paslufta, i dërmuar nga mostrajtimi me përparësi të qeverisjes (pa trajtim profesional, mbikëqyrje, llogaridhënie e mbështetje institucionale) por i sakatuar nga grevat e shumta dhe pandemia dyvjeçare.

“Ne, prindërit, jemi në pozitën më të rëndë të mundshme, meqë na dhemb më së shumti që e ardhmja e fëmijëve tanë po dëmtohet rëndë dhe hapur, duke qenë ende të pafuqishëm që ta ndalojmë këtë. Me këtë grevë shkon edhe disa hapa tutje zhvlerësimi i sistemit të kujdesit, edukimit dhe arsimimit publik në Kosovë, denigrohet statusi i mësimdhënësit dhe zbehet tutje shpresave e qytetarëve për një të ardhme më të mirë – çka i detyron ata të shtojnë radhët e ikjes nga vendi”, thotë Jeton Demi.

“Greva do të vazhdojë”, kryetari i BSPK-së thirrje Qeverisë për reflektim: Ta hapë derën e dialogut, të gjendet zgjidhja