Lajme

Këshilli i Prindërve në Prishtinë mirëpret vendimin për shtyrjen e vitit të ri shkollor

08/28/2021 18:44
nga:M K

Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës e ka mirëpritur vendimin e sotëm të qeverisë për shtyrjen e mësimit deri më 13 shtator, duke e konsideruar si vendim të përgjegjshëm.

Ata kanë thënë se kjo edhe ishte kërkesa e tyre, nisur nga gjendja e rënduar me përhapjen e variantit Delta të virusit i cili po atakon edhe fëmijët.

“Urojmë që deri atëherë të kemi situatë më të mirë, përkundër që është mjaft vështirë të parashikohet përmirësim i madh”, ka shkruar Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë e presim që arsimi të jetë më me përparësi sesa deri tani nga Qeverisja. Kjo nënkupton që së paku të kemi mësimdhënës rezervë dhe platformë për mësim në distancë që funksionon në gjithë vendin, nëse do të punojmë se disa skenarë (që duket të jetë e pashmangshme). Me keqardhje e themi që asnjëra nga këto ende nuk është plotësuar”, ka njoftuar ky këshill.

Shkollat, së paku në Prishtinë, sipas këtij këshilli vazhdojnë të kenë vështirësi serioze të zëvendësimit të mësimdhënësve, që gjatë pandemisë janë forcuar të mungojnë për arsye shëndetësore.

Ata thonë se ky problem pritet t’i ndjekë edhe më shumë këtë vit shkollor.

“Sakaq, është harruar masa e lirimit të një prindi nga puna kur fëmijët janë të sëmurë. Kjo është e domosdoshme këtë vit që fëmijët do të jenë edhe më të prekur”, ka shtuar Këshilli i Prindërve të Prishtinës.

Këshilli i Prindërve i Prishtinës ka theksuar se presin nga Ministria e Arsimit e Qeveria që këto ditë të shfrytëzohen për të bërë përpjekje shtesë për t’u përgatitur sa më seriozisht ngase vështirësitë do të jenë të mëdha e mësimi në shkolla do të jetë më sfiduesi i pasluftës.

Ky këshill u është falënderuar të gjithë prindërve që po i mbështesin e angazhohen vullnetarisht nëpër Këshilla e Task-Forca të shkollave!

“Përkundër lodhjes nga pandemia, e vështirësitë që kemi çdo ditë si shoqëri, ne duhet të jemi të vendosur e të pathyeshëm për të tejkaluar edhe vetën për të tashmen e të ardhmen e fëmijëve tanë! Asgjë nuk vlen më shumë se ata!”, ka përfunduar ky këshill.