Lajme

Këshilli i Prindërve kërkon pushim pranveror për nxënësit

04/01/2023 10:25
nga:Y I

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse respektimin e pushimit pranveror për nxënësit e sistemit parauniversitar të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Këshilli i Prindërve ka thënë se mohimi i pushimit të nxënësve në vikend dhe pushimeve të parapara me kalendarin shkollor, përbëjnë shkelje të konventave ndërkombëtare dhe Kushtetutës.

Sipas këtij këshilli, kërkesa për ndryshimin e kalendarit shkollor dhe lejimin e pushimit pranveror i është dërguar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe po pritet një përgjigje prej saj.

“Si Këshill i Prindërve kemi pranuar shumë kërkesa e ankesa të prindërve për heqjen e të së drejtës së fëmijëve tanë për pushim pranveror. Këtë shqetësim e kemi shprehur qysh në shtatorin e vitit 2022, gjatë grevës, kur kemi kërkuar që mos t’iu hiqen e mos t’iu mohohen të drejtat fëmijëve tanë për pushim në fundjavë, në dimër e në pranverë” thuhet në reagimin e tyre.

Reagimi i plotë:

Pushimi pranveror 2023

1️⃣ Si Këshill i Prindërve kemi pranuar shumë kërkesa e ankesa të prindërve për heqjen e të së drejtës së fëmijëve tanë për pushim pranveror. Këtë shqetësim e kemi shprehur qysh në shtatorin e vitit 2022, gjatë grevës, kur kemi kërkuar që mos t’iu hiqen e mos t’iu mohohen të drejtat fëmijëve tanë për pushim në fundjavë, në dimër e në pranverë.

2️⃣ Por Ministria e Arsimit e kishte publikuar kalendarin e korrigjuar mësimor për këtë vit shkollor menjëherë pas ndaljes së grevës, ku pa përfillur kërkesat e prindërve, dhe duke shkelur të drejtat e fëmijëve nxënës në sektorin publik, ua ka mohuar fëmijëve të drejtën për pushim. Kjo nuk mbajmë mend të ketë ndodhur pas luftës në Kosovë.

3️⃣ Më shumë sesa të shqetësuar e të mllefosur që na shkelën të drejtat e fëmijëve shpesh, përsëritur e krejtësisht hapur (pa asnjë pasojë për shkelësit); e që anshkalohemi si Këshill për shkak të qëndrimeve parimore e të drejta, është heshtja e çuditshme e krejt institucioneve të vendit dhe palëve të tjera për këto shkelje të rëndë të drejtash. Të krijohet përshtypja sikur ky vend nuk ka President, nuk ka Kryeministër, nuk ka Kuvend, nuk ka prokurori e gjykata, nuk ka Avokat të Popullit, nuk ka Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave, nuk ka akademi, nuk ka kryetarë komunash e drejtori komunale të arsimit, nuk ka opinionistë, nuk ka përfaqësi ndërkombëtare (që deklarohen edhe për çështje krejt minore), nuk ka organizata që mbrojnë të drejtat e fëmijëve. Jemi vetëm ne e fëmijët tanë.

4️⃣ Një shkelje e rëndë e të drejtave të fëmijëve (të mbrojtura me konventa ndërkombëtare e me kushtetutë të Kosovës) por ripërsëritet e askujt, veç nesh, duket se nuk i bën përshtypje.

5️⃣ Si Këshill i kemi dërguar Ministres së Arsimit, znj. Nagavci, kërkesë ta rishqyrtojë atë vendim e t’iu kthehet e drejta e fëmijëve tanë. Po presim përgjigje.

? Ne vazhdojmë t’ua themi, atyre që kanë arsye e përgjegjësi: FËMIJËT KANË TË DREJTA! STOP SHKELJES!