Temperaturat e ulëta dhe përdorimi i shtuar i energjisë elektrike për ngrohje kanë ndikuar në rritje të theksuar të konsumit. Në periudhat kur prodhimi vendor mbetet i ulët, nevoja për import të energjisë elektrike rritet ndjeshëm. Megjithatë, mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment.
KESCO është vazhdimisht e angazhuar në shfrytëzimin e të gjitha mundësive të disponueshme për sigurimin e energjisë elektrike, përfshirë kontratat afatgjata dhe blerjet në tregjet afatshkurtra. Megjithatë, në situata kur nevoja për import është shumë e lartë, mbulimi i plotë i kërkesës paraqet vështirësi të mëdha.
Në këtë kontekst, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të përdorin me kujdes energjisë elektrike dhe të ndërmarrin masa konkrete për kursimin e saj, veçanërisht gjatë orëve të pikut. Kursimi i energjisë elektrike është i domosdoshëm si nga aspekti operativ ashtu edhe nga ai teknik.
KESCO mbetet e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve ndaj konsumatorëve dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet relevante, po punon për ruajtjen e stabilitetit të sistemit dhe sigurimin e furnizimit me energji elektrike.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj gjatë kësaj periudhe sfiduese.


