Lajme

KESCO: Furnizimi i Ferronikelit bëhet në përputhje me kontratën, akuza drejtuar KESCO-s është e pabazuar

11/07/2021 14:57
nga:Q R

KESCO ka bërë të ditur se Ferronikeli është konsumator i parregulluar që nga viti 2017.

KESCO, përmes një komunikate për medie kanë njoftuar se janë duke respektuar kontratën që kanë me Ferronikelin, dhe se, sipas tyre, akuza drejtuar KESCO-s është e pabazuar.

Njoftimi i plotë:

KESCO sqaron se Ferronikeli është konsumator i parregulluar që nga viti 2017. Pra, ky konsumator ka të drejtë të zgjedhë furnizuesin prej të cilit mund të blejë energjinë elektrike që konsumon. Vendimi për t’u furnizuar me tarifa të parregulluara në një treg të hapur është marrë nga institucionet e vendit si një vijimësi e liberalizimit të tregut të energjisë.

Për qëllime sqarimi, blerja e energjisë elektrike nga KEK-u është me prioritet për konsumatorët e rregulluar së pari, në përputhje me udhëzimet e nxjerra nga ZRRE. Duke pasur parasysh se prodhimi i KEK-ut nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e konsumatorëve të rregulluar, energjia elektrike për Ferronikel është blerë nga importi, konform kontratës së rënë dakord midis palëve.

Meqenëse çmimet e importit janë aktualisht shumë të larta, kompania është e prekur drejtpërdrejt nga këto çmime që kanë goditur pothuajse të gjithë Evropën. Prandaj, me siguri të plotë mund të themi se KESCO është duke respektuar kontratën që ka me Ferronikelin, dhe akuza drejtuar KESCO-s është e pabazuar.