Lajme

Kervan kritik për Lajçakun, thotë se komunitetet tjera jo-shumicë në Kosovë janë anashkaluar

03/16/2023 19:29
nga:G B

Enis Kervan, përfaqësues i komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës, ka shprehur shqetësimin se pse i Dërguari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe i Dërguari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, nuk kanë takuar përfaësues të komuniteteve tjera pakicë të Kosovës për të diskutuar për Planin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 18 mars në Ohër për të diskutuar për zbatimin e Planit Evropian të dakorduar më 27 shkurt në Bruksel.

Para këtij takimi të rëndësisë së lartë, Lajçak e Escobar kanë udhëtuar në Prishtinë e në Beograd që të takohen me përfaqësues shqiptarë e serbë, por jo të komuniteteve tjera brenda Kosovës.

Kervan thotë se komunitetet joshumicë janë anashkaluar dhe po ashtu, është anashkaluar fakti që Kosova është shtet shumë-etnik.

“Një prej arsyeve që kemi qenë kritikë është se Kosova është shtet shumë etnik. Në këto rrethana kur flitet për marrëveshjen finale, ne jemi në dijeni që në çdo takim nuk ka hapësirë për t’u takuar me ne. Mirëpo në këtë ditët e rëndësishme kur jemi në pritje për marrëveshje apo diskutime, kur takohen me liderët opozitarë, por edhe me komunitetin serb është anashkalim për neve komunitetet e tjera joshumicë që jemi pjesë e kushtetutës dhe do të jemi prapë.”, tha ai në emisionin Frontal të T7.