Lajme

Kërkohet paraburgim për policin i cili për 6 muaj ngacmoi seksualisht një të mitur

05/10/2024 14:27
nga:Y I

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar 30 ditë paraburgim për zyrtarin policor i cili dyshohet se për gjashtë muaj ka ngacmuar seksualisht një të mitur.

“Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndajë të pandehurit me inicialet A.D., ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, thuhet në njoftim.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet A.D., nga muaji dhjetor i vitit 2023 e deri me 08.05.2024, në Gjakovë, e ka ngacmuar seksualisht në vazhdimësi të mituren, në formë të sjelljes së padëshiruar verbale dhe jo verbale të natyrës seksuale me qellim të cenimit të dinjitetit, në atë mënyre që pasi që i pandehuri dhe e dëmtuara/e mitur ishin njoftuar përmes rrjeteve sociale, i dërgon mesazhe të natyrës seksuale, me të cilat veprime të dëmtuarës ia cenon dinjitetin dhe tek e njëjta krijon një mjedis i cili objektivisht është frikësues, degradues dhe poshtërues.

“Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale, ngacmim seksual në vazhdimësi nga neni 10 i Ligjit Nr.8/L-188 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit 06/L – 074 Penal të Republikës së Kosovës lidhur me nenin 183 par.4 lidhur me par.2, e lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, thuhet tutje në njoftim.