Lajme

Kërkohet burg përjetë për biznesmenin e dyshuar se porositi vrasjen e gazetares Galizia

08/18/2021 22:22
nga:Y I

Prokurorët në Maltë kanë kërkuar burg përjetë për sipërmarrësin e majmë Yrgen Fenech, i cili akuzohet se porositi vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia.

Galizia u vra me një bombë teksa po udhëtonte me makinë në tetor 2017. Ajo dyshohet se po hetonte korrupsionin në një biznes të lidhur me Fenech.

Prokuroria ia komunikoi zyrtarisht sot akuzat Fenech-it si “porositës i vrasjes” dhe “grup kriminal”. Biznesmeni mbahet në paraburgim prej dy vitesh. Ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat.

Nuk ka ende një datë zyrtare se kur do të mbahet seanca e parë gjyqësore, por Instituti Ndërkombëtar i Medias e përshëndeti komunikimin e akuzave si “një hap përpara drejt ndëshkimit dhe vënies drejtësi të vrasësve të gazetares Galizia”.

Për vrasjen e Galizias gjykatat kanë dënuar me 15 vite burg një person, ndërsa dy të tjerë, të cilët akuzohen se vunë bombën në makinë, janë ende në gjykim.

Autoritetet u ndihmuan nga një prej pjesëtarëve të grupit që e organizoi vrasjen për ta zbardhur më mirë atë. Personit në fjalë i është siguruar statusi i të penduarit.

Muajin e shkuar një hetim parlamentar ngarkoi me përgjegjësi për vrasjen e gazetares Galizia ish-qeverinë e Joseph Muscat.

Hetimi tha se autoritetet malteze kishin krijuar një “kulturë mosndëshkimi” që çoi në vrasjen e gazetares.

Ish-kryeministri Joseph Muscat u dërhoq në janar 2020 pasi biznesmeni Fenech u arrestua dhe vendi u përfshi nga protestat. Sidoqoftë Muscat nuk është akuzuar asnjëherë për asgjë në lidhje me çështjen.

Biznesmeni Fenech ka akuzuar gjithashtu qeverinë e Muscat për vrasjen dhe është ankuar se autoritetet malteze kanë shkelur të drejtat për një gjykim të drejtë pasi e kanë mbajtur në kushte të vështira paraburgimi.

Akuzat e tij janë hedhur poshtë nga autoritetet.