Një 32 vjeçar nga Maqedonia e Veriut është arrestuar në Rinas pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për drogë. Mësohet se 32 vjeçari u kap nga shërbimet e policisë kufitare në dalje pasi rezultoi se ishte pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve në Strugë.
Interpol Shkupi e kërkonte atë pasi Zyra e Prokurorit Publik për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin në MV, me vendimin e datës 20.12.2023, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut.
Ai akuzohet se gjatë vitit 2023, ka qenë njëri nga organizatorët e një grupi kriminal në Strugë, me aktivitet prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht kokainë dhe kanabis. Droga blihej nga bashkëpunëtorët e tij dhe më pas shitej në Strugë, kryesisht në vende të përcaktuara.
Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Maqedoninë e Veriut.