Lajme

Kërkesat e Kurtit ndaj BE-së/ Krasniqi: Për konsum politik, hedh akuza e nuk angazhohet për heqjen e sanksioneve

03/04/2024 14:08
nga:G B

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka komentuar deklaratën e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, se Bashkimi Evropian duhet ta integrojë Kosovën në familjen evropiane, si përgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë që vijnë nga Serbia.

Në një prononcim për Gazeta Blic, Krasniqi thotë se deklaratat e tilla janë për konsum politik, derisa Kurti akuzon BE-në për anshmëri, ndërsa që nuk angazhohet për heqjen e sanksioneve.

“Kryeministri Kurti njihet për deklarimet e tilla të cilat i bën vetëm sa për konsum politik, por në realitet mungojnë veprimet konkrete. Në vend që të angazhohet për të hequr sanksionet e vendosura ndaj vendit, ky pushtet çdo ditë e akuzon BE-në për anshmëri me Serbinë”, vlerëson deputetja.

Se sa mund të merren parasysh kërkesat e Kurtit, derisa BE nuk e ka sanksionuar Serbinë për sulmin në Banjskë, Krasniqi kujton se sulmi ishte fitore e Policisë së Kosovës, ndërsa që Serbia vetëm sa ia ka dëmtuar imazhin vendit, duke folur vazhdimisht për luftë.

Mirëpo, ajo shton se siguria e vendit nuk varet nga Kurti por nga KFOR-i.

“Ndryshe, sulmi në Banjskë ka qenë fitore e Policisë së Kosovës, por kjo qeveri nuk arriti ta paraqes siç duhet përmes politikës në arenën ndërkombëtare. Përkundrazi, ajo çka ka bërë është dëmtimi i imazhit të vendit, duke e shfaqur Kosovën si vend lehtë të destabilizueshëm, duke folur gjatë gjithë kohës për rrezikun e një lufte. Por, për fatin e mirë siguria e vendit nuk varet nga ai por nga forcat e NATO-s, të cilët janë garantuesit e paqes në vend dhe ne jemi të sigurt”, deklaron deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/

Kurti: Anëtarësimi ynë në strukturat evropiane si përgjigje ndaj kërcënimeve nga Serbia