Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë në një nga mbledhjet e mbajtura, ka kërkuar nga tri institucione të nivelit qendror siguri, në mënyrë që procesi i zgjedhjeve të 18 dhjetorit në Veriun e vendit të mbahen pa ndonjë problem, raporton Gazeta Blic.
KQZ i është drejtuar me shkresë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit.
Gazeta Blic nga burime të saja në Ministrinë e Arsimit ka arritur të sigurojë përgjigjen që MASHT, që drejtohet nga Arbërie Nagavci, i ka kthyer kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Në përgjigjen që e ka gazeta, ministria që drejtohet nga Nagavci ‘inkurajon’ KQZ-në që të koordinohen me autoritetet lokale në Veri të Mitrovicës, sa i përket datës 18 dhjetor në mënyrë që shkollat atë ditë të jenë në dispozicion për votim.
Por në këtë përgjigje të MASHT-it, me ose pa qëllim zyrtarët e kësaj ministria kanë ‘harruar’ që kryetarët e komunave në veri të Kosovës tash e sa ditë kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.
“Në funksion të zbatimit të këtij pëlqimi dhe zhvillimit të vitit shkollor 2022-23 sipas planifikimit, ju inkurajoj për koordinim me nivelin lokal, përkatësisht me institucionet arsimore ku planifikohet mbajtja e zgjedhjeve”, thuhet në përgjigjen e MASHT për KQZ.
Në këtë përgjigje thuhet se MASH me 26 nëntor 2022 ka pranuar kërkesën për qasje dhe shfrytëzimin e objekteve shkollore në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të cilat shfrytëzohen si Qendra të Votimit në ditën e zgjedhjeve me 18 dhjetor 2022 dhe 25 dhjetor 2022.
“Andaj, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në mbështetje të nenit 8, 10 dhe 11 të Ligjit nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura (Gazeta zyrtare nr. 7/01 mars 2019), nenit 5 paragrafit 1.1 të Ligjit me Ligjit Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, nenit 4 paragrafit 4.1 të Rregullës Zgjedhore 13/2013, nenit 8 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 dhe shtojcës 1 paragrafit 7 të Rregullores (QRK) nr. 2021, jep këtë pëlqim për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda hapësirës së ndërtesave të shkollave dhe të gjitha objektet tjera arsimore ku organizohet procesi mësimor”, thuhet në përgjigjen e MASHT që posedon Gazeta Blic.
Redaksia ka ditë të tëra që ka kërkuar një përgjigje nga MPB, MASHT dhe Policia e Kosovës për këtë kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por ka qenë vetëm MASHT që ka kthyer përgjigje në formë të konfirmimit se MASHT do t`i përgjigjet KQZ.
“I nderuar, kemi pranuar kërkesën e KQZ-së në lidhje me datën 18 dhjetor kur do të mbahen zgjedhjet në 4 komunat në veri të Kosovës. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit shumë shpejt do t’i kthejë përgjigje KQZ-së në lidhje me këtë kërkesë”, thuhet në përgjigjen e MASHT për redaksinë.
Aktualisht data 18 dhjetor ende është zyrtare si ditë kur duhet të mbahen zgjedhjet në atë pjesë të Kosovës, por që bazuar në situatën politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës ato ‘zor’ se do të mbahen për shkak të organizimit e që për këtë duhet një zinxhir I tërë si policia për siguri të procesit dhe shkollat si vend ku qytetarët do të mund të votojnë me 18 dhjetor.


