Lajme

Kërcënimi i Dick Martyt nga BIA, Kurti pret reagim prej fuqive të mëdha

04/12/2022 09:57
nga:Genita C

Kryeministri Albin Kurti, rreth raportimeve të mediave zvicerane për ish-senatorin zviceran, Dick Marty, se ky i fundit, tash e një vit e gjysmë jeton nën masa të forta sigurie si pasojë e kërcënimeve me jetë nga shërbimet inteligjente serbe, ka thënë se ai nuk është autor por protagonist.

Sipas tij, ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Beograd dhe Bashkimi Evropian duhet ta ngrit këtë çështje me presidentin e Serbisë dhe me të gjitha institucionet atje.

Kreu i Qeverisë deklaroi se kjo është një akzuë e jashtëzakonshme që i tejkalon çfarëdo përmase individuale.

“Kësaj radhe, ai nuk është autor po protagonist, mund të them se shteti i Kosovës e ka ditur gjithmonë se kush është Serbia. Shpresoj dhe uroj që QUINT-i në Beograd dhe BE në përgjithësi ta ngrisin këtë çështje me presidentin atje dhe me të gjitha institucionet atje . Kjo është një akuzë e jashtëzakonshme që i tejkalon çfarëdo përmase individuale dhe e përfshinë një shtet të tërë”, deklaroi ai.

“Ju e dini shumë mirë se shërbimi sekret i Serbisë gjatë viteve të 70-ta e 80-ta, jo vetëm të 90-ta, ka vrarë shumë patriotë e veprimtarë shqiptarë. Këtë mënyrë të punës së tyre të mbrapshtë, ata e kanë të ushtruar në dekada. Ndër ata që u vranë ju e dini se janë Jusuf e Bardhosh Gërvalla, prindi dhe xhaxhai i ministres sonë të jashtme dhe Kadri Zeka, e deri te Enver Hadri, e shumë të tjerë”, shtoi kreu i LVV-së.

Kurti tha se mënyra se si ka operuar në Evropën Perëndimore, shërbimi serb ndaj shqiptarëve edhe ndaj kroatëve, është njohur botërisht.

“Duket që atë mënyrë, e paskan planifikuar edhe ndaj Dick Martyt, që të na fajësojnë neve. Në anën tjetër, ne e dimë edhe opinioni publik në Serbi është i njoftuar për rastin Panda në Pejë, ku janë vrarë të rinjtë që të vriten të rinjtë që të fajësohet UÇK-ja e në emër të kësaj janë vrarë civilët shqiptarë”, vijoi Kurti.

Ai theksoi se kjo është një metodë e njohur e shërbimit sekret serb, në veçanti për popullin e Kosovës që e ka përjetuar këtë në përvojën e vet të hidhur.

“Besoj që është koha e fundit që QUINT-i në Beograd dhe Bashkimi Evropian ta ngrisin këtë çështje me strukturat më të larta shtetërore në Serbi”.

Sipas mediave zvicerane, serbët kishin planifikuar vrasjen e Martyt në mënyrë që fajin t’ua hidhnin shqiptarëve, me idenë se kjo mund të pranohej, meqë bazuar në pretendimet në raportin e zviceranit, u ngrit Gjykata Speciale në Hagë.