Lajme

Kërcënimet e Petkoviq për asociacionin, analisti: Kanë dështuar dy herë, nuk mund të formohet pa BE-në e SHBA-të

07/30/2022 21:04
nga:G B

Me 1 gusht do të nisë regjistrimi me targa RKS i makinave që kanë targa me akronime të qyteteve të Kosovës dhe që lëshohen nga Serbia.

Procesi i riregjistrimit pritet të zgjasë deri më 30 shtator.

Përpos targave, me 1 gusht, të gjithë qytetarët që do të hyjnë nga territori i Serbisë në Kosovë, do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje, praktikë kjo e njëjtë që Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

E këto kanë ngjallur pakënaqësi në Beograd.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha sot se nesër me 30 korrik (e diel), përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës do të fillojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, kjo do të jetë përgjigja në qoftë se autoritetet e Kosovës nuk heqin dorë nga synimi i tyre që nga 1 gushti të nisin zbatimin e vendimeve për targa të automjeteve dhe letërnjoftimet serbe.

“Serbët nuk kanë çfarë të presin. Nëse ata mund të sillen si të duan, atëherë është normale që serbët të nisin krijimin e Asociacionit. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe ata duhet të sigurojnë të drejtat e tyre”, tha ai.

Ndërsa, lidhur me detajet lidhur formimin e Asociacionit, Petkoviq tha se do të informojnë me kohë.

Lidhur me këtë, analisti politik, njëherësh ish pjesëmarrësi në dialogun teknik mes Kosovës e Serbisë, Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se asociacioni e asnjë marrëveshje nuk mund të zbatohet pa ndërmjetësim të BE-së e SHBA-ve.

“Nuk ka asnjë marrëveshje që mund të zbatohet njëanshëm, e aq më pak pa ndërmjetësim të BE-së dhe Amerikës”, vlerëson ai.

Sipas Racit, Serbia ka tentuar edhe më herët ta themelojë asociacionin, por ka dështuar.

“Serbia gjithmonë ka tentuar ta themelojë Asociacionin njëanshëm por ka dështuar. Kanë tentuar edhe dy herë në të kaluarën”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/