Lajme

Kërçeli: Zgjedhja e Deliqit në krye të Kuvendit, dëshmon se Serbia nuk do marrëveshje me Kosovën

08/03/2022 15:23
nga:N M

Shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, Ilir Kërçeli, ka thënë se zgjedhja e Bozhidar Deliq si nënkryetar i parlamentit të Serbisë, është mesazh i radhës se politikat e Millosheviqit admirohen e fuqizohen edhe në shekullin e 21-të.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kërçeli tutje thotë se veprimet dhe mesazhet e njëpasnjëshme që i dërgon presidenti, Aleksandar Vuçiq, tregon se a dëshiron Serbia marrëveshje me Kosovën.

“Se a dëshiron Serbia marrëveshje me Kosovën, tregojnë veprimet e mesazhet e njëpasnjëshme që i dërgon anëtari i qeverisë se kasapit të Ballkanit Vuçiq. Zgjedhja e komandantit Delic i cili mori pjesë në sulmet në Kosovë të ushtrisë jugosllave si nënkryetar te parlamentit të Serbisë është veç mesazhi i radhës se politikat e Millosheviqit admirohen e fuqizohen edhe në shekullin 21”, ka shkruar Kërçeli.

Bozhidar Deliq ishte komandant I Brigadës 549 të Motorizuar në Ushtrinë Jugosllave gjatë luftës në Kosovës. Në këtë brigadë kishin marrë pjesë edhe mercenarë rusë.

Ai të martën është zgjedhur një nga shtatë nënkryetarët e kuvendit të Serbisë, pasi kryetar u zgjodh Vladimir Orliq.

Lista Serbe: Duam ta rrëzojmë Qeverinë Kurti