Lajme

Ker-Lindsey: Vështirë të arrihet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë pa njohje reciproke

02/01/2023 15:08
nga:Astrit Gashi

Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në fokus të marrëveshjes mes dy vendeve, ka thënë James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Ai beson se plani aktual i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, nuk është hap drejt arritjes së një marrëveshjeje finale dhe të qëndrueshme.

Propozimi i Bashkimit Evropian, që në publik njihet si plani franko-gjerman, u është dorëzuar autoriteteve në Kosovë dhe Serbi, në fund të verës së kaluar.

Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Përpjekjet e përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara janë intensifikuar së fundmi, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të pranojnë propozimin për normalizim të raporteve. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të marrë pjesë në një seancë parlamentare ku do të mundohet të krijojë konsensus me partitë opozitare sa i përket planit, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e sheh planin si kornizë fillestare për negociata. Sipas jush, sa afër ose larg janë Kosova dhe Serbia që ta arrijnë marrëveshjen përfundimtare?

James Ker-Lindsay: Është padyshim e vështirë të thuhet, dhe mendoj se pika tjetër që duhet ngritur është se, edhe nëse plani çohet tutje, nuk është saktësisht marrëveshje përfundimtare. Dua të them se prapëseprapë e lë të hapur pozicionimin e Serbisë ndaj Kosovës. Nuk e zgjidh atë. Disa mund të thonë se është një hap përpara. Unë e kam parasysh atë argument. Në fakt unë jam mjaft kritik ndaj këtij plani, sepse nuk mendoj se është mjaft ambicioz. Mendoj se e kuptoj pse edhe Serbia edhe Kosova do të ndihen shumë të pakënaqura për këtë.

Disa do të thoshin, mirë, shikoni, kjo është në fakt një bazë vërtet e mirë për një hap tjetër. Nëse dyja palët thonë, mirë, kjo nuk është në të vërtetë ajo që ne do të dëshironim, por mendojmë se është diçka që i çon gjërat një hap përpara. Shikoni, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara mund ta konsiderojnë këtë si një rezultat pozitiv, veçanërisht, sipas meje, pasi ata e ndjejnë se palët nuk e dëshirojnë një gjë të tillë.

Por në fund të fundit, nuk mendoj se kjo është një marrëveshje veçanërisht efektive. Unë e shoh si diçka që është krijuar më shumë nga zhgënjimi se çdo gjë tjetër, pasi evropianët e shohin këtë si një çështje të rëndësishme se janë të brengosur ndaj ndikimit të Rusisë në Ballkan, dhe kanë thënë të provojmë e të shohim se çfarë mund të bëjmë. Por, me të vërtetë e kuptoj pse të dyja palët do të jenë të pakënaqura me të.

Pyetja është, natyrisht, nga pala serbe, nëse presidenti [Vuçiq] mendon se mund t’ia mbushë mendjen opozitës për këtë, sepse do të jetë efektivisht një hap mjaft domethënës nëse do të bëhet, që kjo do ta lë Serbinë në një pozicion nominalist […idetë e përgjithshme janë thjesht emra pa ndonjë realitet përkatës…].

Por unë gjithashtu mund të kuptoj pse Kosova është shumë e pakënaqur për këtë, sepse nuk po u jep atyre garancitë e njohjes që ata padyshim dëshirojnë t’i kenë. Pra, një përgjigje mjaft e gjatë, por do të thosha se është shumë e vështirë të thuhet se sa afër janë palët për një marrëveshje përfundimtare, sepse kjo nuk është në të vërtetë një negocim mes palëve. Kjo është një negociatë mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara, dhe ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara. Nuk është një marrëveshje në thelb mes Serbisë dhe Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Po, por megjithatë jemi dëshmitarë, sidomos në fund të vitit 2022, që një numër i zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kanë nënvizuar se Kosova dhe Serbia, në vend që të ulen dhe të negociojnë, janë duke kaluar nga një krizë në tjetrën, pa ndonjë hap konkret në dialog. A mund të jetë kjo më pas, një shtysë që, në fakt, do ta ndryshonte këtë situatë dhe do t’i sillte të dyja palët në tryezë për të negociuar mes vete?

James Ker-Lindsay: Shikoni, në pikëpamjen time ky është një plan që nuk ka ambicie përbrenda vetes. Qartazi e kemi një problem mes Kosovës dhe Serbisë. Jemi në prag të 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nga shkurti i vitit 2008. Nuk mendoj se dikush e ka menduar se do ta gjejmë vetën në situatën që jemi sot.

Që ta dini, sikur të më kishit pyetur 10 vjet më parë, situata është dukur shumë, shumë më premtuese sesa sot. Gjithashtu mendoj se situata është në pikën ku dikush mund të thotë se ky propozim është një hap para. Por në të vërtetë mendoj se kjo nuk kryen punë për çështjen përfundimtare. Edhe Serbia, edhe Kosova kanë nevojë për një zgjidhje përfundimtare. Dhe kjo duhet nënkupton se të dyja palët duhet të pranojnë realitetin që kanë përpara syve. Ajo që dua të them është se edhe nëse i pëlqen apo jo Serbisë, dhe besoj se shumica e zyrtarëve të lartë në Serbi e dinë mirë, është që Kosovën e kanë humbur.

Rezultati më i mirë dhe më i arsyeshëm është të jenë në gjendje ta pranojmë këtë dhe të thonë, mirë, në rregull, ne do ta njohim Kosovën. Është një vendim i dhimbshëm, por ne do ta bëjmë. Por në këmbim, ne duhet të kemi garanci të hekurta se statusi i serbëve në Kosovë do të mbrohet, se ata do të lejohen të kenë një marrëdhënie të veçantë me ne dhe se objektet fetare gjithashtu do të mbrohen.

Dhe unë mendoj se Bashkimi Evropian, në vend që të shtyjë për këtë lloj pjese, duhet të thotë, mirë, në rregull, asociacioni do të ngrihet, por nuk do të ketë çështje njohjeje. Unë mund ta kuptoj pse shumë në Kosovë janë të pakënaqur për këtë, por gjithashtu e kuptoj pse shumë në Serbi janë shumë të pakënaqur me idenë se Kosova do t’iu bashkohet më shumë organizatave ndërkombëtare, potencialisht edhe Kombeve të Bashkuara.

Sepse nëse jemi vërtet të sinqertë, nëse Kosova hyn në Kombet e Bashkuara, atëherë nëse Serbia nuk e njeh atë, Serbia do të duket qesharake. Dua të them, efektivisht, do të duket si dikush i ulur në një qoshe, përderisa Kosova shijon festën.

Ajo do të jetë, me të gjitha synimet dhe qëllimet, një shtet plotësisht i njohur në skenën botërore, dhe Serbia do të jetë i vetmi vend që nuk e njeh atë, gjë që do të ishte një pozicion shumë i çuditshëm dhe qesharak për Serbinë. Pra, në shumë mënyra, do të kishte shumë më tepër kuptim nëse Bashkimi Evropian do të kishte hyrë dhe do të ishte më ambicioz dhe do të thoshte, mirë, çfarë mund të bëjmë për t’i vënë një vijë kësaj çështjeje?

Të thotë çfarë duhet bëhet? Serbi, kemi nevojë që të çojmë në pozicionin se duhet të njohësh [pavarësinë e Kosovës] dhe se e dimë se sa e vështirë është, por çfarë mund të bëjmë për këtë. Çfarë mund të bëjmë në Kosovë? Çfarë mund të bëjmë që të përshpejtojmë rrugëtimin për anëtarësim në BE. Çfarë mund të bëjmë për të shtuar investimet në Serbi? Pra, një plan të madh për të zgjidhur këtë. Sepse nuk mendoj se ky plan që e kemi në tavolinë zgjidh ndonjë gjë. Nuk do t’i japë as Serbisë e as Kosovës atë që ato duan. Pra, mendoj se është një zgjidhje e përkohshme, por nuk e zgjidh problemin.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, me të dyja palët, siç thatë ju, të pakënaqura me vendimet që duhet të marrin për të pranuar këtë plan, a nuk do të ishte ky, në fakt, përkufizimi i kompromisit? Ndërkaq, të dy zyrtarët e lartë deklaruan se ka një lloj presioni te ta, në fakt jo presion, por tani kemi detaje. Pra, edhe Kurti edhe Vuçiqi pranuan se ka një presion mbi ta për të pranuar marrëveshjen. Cila pjesë është nën presion më të madh? Serbia apo Kosova, sipas jush?

James Ker-Lindsay: Epo, mendoj se është e rëndësishme të përmend se e them këtë si dikush që ka punuar në shumë procese paqeje gjatë viteve dhe kam mjaft përvojë praktike në këtë, si dhe fakti që kjo është fusha ime akademike e studimit – zgjidhja e konflikteve. Kështu që mendoj se është e rëndësishme të thuhet se disa do të thonë, “mirë, nëse të dy janë të pakënaqur, atëherë kjo është një shenjë e mire”. Jo, mendoj se është pak më e ndjeshme se kaq. Kemi procese paqeje ku shkenca del dhe thotë, shikoni, ne jemi të pakënaqur me X, Y dhe Z, por në përgjithësi, ne mund të jetojmë me të. Kjo nuk është aso lloj marrëveshjeje. Unë mendoj se ajo që do të shohim këtu është pakënaqësi, e cila në fakt nuk e zgjidh problemin, përkundrazi, ngre problem.

Nuk e zgjidh këtë çështje. Ajo thjesht ofron një mënyrë afatshkurtër për të provuar dhe lehtësuar situatën. Ne kemi nevojë për një zgjidhje të madhe ku, siç them unë, të dyja palët mund të dalin prej saj dhe të thonë, shikoni, kjo nuk është domosdoshmërisht pikërisht ajo që do të dëshironim, por ne mund të jetojmë me të. Ka elementë që nuk na pëlqejnë. Por në përgjithësi, e dini çfarë? Kjo e zgjidh problemin. Dhe Serbia, dhe në këtë rast, Serbia dhe Kosova mund të vazhdojnë dhe thjesht të fillojnë të jetojnë si fqinjë dhe të punojnë me njëra-tjetrën dhe të vendosin një vijë mbi gjithë këtë çështje.

Dhe thjesht nuk mendoj se ky [plani SHBA-BE] e përmbush nevojën.

Sa i përket asaj se cila palë është nën më shumë presion, mendoj se të dyja palët janë nën presion të konsiderueshëm për këtë. Mendoj se është çështje se cila palë mendon se është më e gatshme të bëjë kompromis, duke pasur parasysh këtë presion. Dhe për momentin, me siguri do të duket se Beogradi është ai që duket më i hapur për të thënë, shikoni, e dini çfarë, ne me të vërtetë nuk na pëlqen kjo. Por alternativa, humbja e investimeve, është shumë serioze.

Kosova, në anën tjetër, dua të them se deklaratat që po shohim nga kryeministri Kurti, mund të duket se ai nuk e ndjen veten të jetë në këtë situatë. Ai po merr një pozicion shumë më të ashpër. Mund të ndodhë që Beogradi ta shohë atë [Kurtin] dhe të thotë, ai do ta bllokojë, dhe nëse ne themi se do të vazhdojmë me të, atëherë ndoshta ky është një shans për ne që të fitojmë disa lëvdata dhe përkrahje në kryeqytetet evropiane duke u paraqitur si një palë më e moderuar, duke e ditur se sa e kundërshton Prishtina këtë marrëveshje.