Gjykata Kushtetuese ka publikuar Aktgjykimin në rastin ku Komuna e Prishtinës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së akteve të kontestuara të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, lidhur me këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronë të paluajtshme në pronësi të personave privat, me qëllim të realizimit të planit rregullues “Prishtina e re – Lindje”.
Më 16 qershor 2021, Kuvendi i Komunës së Prishtinës, përmes dy vendimeve të ndara kishte miratuar propozimin e Kryetarit të Komunës për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronë të paluajtshme në pronësi të personave privat, me qëllim të realizimit të planit rregullues “Prishtina e re – Lindje”, me destinim për ndërtim të shkollës, kopshtit dhe hapësirave gjelbëruese.
Për këtë rast, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që te shpallë kërkesën e Komunës së Prishtinës si të pranueshme dhe i ka shpallur aktet e ministrive si të pavlefshme, duke thënë se s’janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Këto vendime ishin dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për procedurën e kontrollit të ligjshmërisë së tyre. MAPL i kishte përcjellë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vlerësimin e ligjshmërisë së tyre, ndërsa MINT përmes dy akteve të ndara, kishte njoftuar MAPL-në se aktet e Komunës duhej të pezulloheshin dhe të mos prodhonin pasoja juridike deri sa kjo çështje të trajtohej nga Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike i përcaktuar në Ligjin për Investime Strategjike.
Për pasojë, MAPL përmes dy akteve, përkatësisht “raporteve për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve komunale”, [nr. 020-558/10] dhe [nr. 020-558/17] të 8 dhe 12 korrikut 2021, respektivisht, kishte njoftuar Komunën lidhur me njoftimin e MINT, duke mos bërë vlerësimin e ligjshmërisë së akteve përkatëse siç është specifikisht e kërkuar përmes neneve 81 dhe 82 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, duke pamundësuar gjithashtu edhe vlerësimin financiar të vendimit të Komunës për këmbimin e pronës së paluajtshme nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), me arsyetimin se mungonte konfirmimi i ligjshmërisë së vendimeve të Komunës nga ana e MAPL-së.
Komuna e Prishtinës i kontestoi aktet e lartcekura para Gjykatës, duke pretenduar që të njëjtat cenojnë kompetencat e Komunës të përcaktuara dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Për këtë rast, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin, ku e ka cilësuar kërkesën e Komunës së Prishtinës si të pranueshme dhe i ka shpallur te pavlefshme, duke thënë se s’janë në përputhje me Kushtetutën.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që të: (I) deklarojë kërkesat e pranueshme; dhe të konstatojë që: (II) në rastin KO159/21 (i) “Raporti i vlerësimit të ligjshmërisë së aktit komunal [nr. 020-558/17] i 12 korrikut 2021” i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në lidhje me (ii) “konfirmimin e ligjshmërisë së aktit të Komunës së Prishtinës [nr. 5133] i 9 korrikut 2021” i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2, 3 dhe 7 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (III) në rastin KO160/21 (i) “Raporti i vlerësimit të ligjshmërisë së aktit komunal [nr. 020-558/10] i 8 korrikut 2021” i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në lidhje me (ii) “konfirmimin e ligjshmërisë së aktit të Komunës së Prishtinës [nr. 6077] i 7 korrikut 2021” i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafin 2, 3 dhe 7 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe si të tilla shpallen të pavlefshme”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të Kushtetueses, “Aktgjykimi thekson se vetëm gjykatat e rregullta e kanë tagrin kushtetues dhe ligjor që të urdhërojnë suspendimin e zbatimit të një vendimi të Kuvendit Komunal në pajtim me legjislacionin e zbatueshëm. Rrjedhimisht, institucionet e nivelit qendror nuk kanë autorizim nga Kushtetuta dhe ligji që të suspendojnë vendimet e Kuvendit Komunal, duke e pamundësuar vazhdimin e procedurave ligjore nga Komuna përkatëse në përputhje me detyrimet e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.”
“Për pasojë, në rrethanat e rastit konkret, bazuar edhe në parimet e lartcekura kushtetuese, përkatësisht, nenet 123 dhe 124 të Kushtetutës, sipas së cilave, ndër tjerash, (i) vetëqeverisja lokale është e garantuar me Kushtetutë dhe e rregulluar me ligj; dhe (ii) çdo rishikim administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutë dhe ligj, Aktgjykimi konstaton që përmes pezullimit të vendimeve të Komunës së Prishtinës përmes akteve të kontestuara, MAPL dhe MINT, nuk kanë ushtruar kompetencën e kontrollit administrativ në përputhshmëri me dispozitat e Kushtetutës, Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe ligjit të aplikueshëm”, thuhet në njoftim.


