Kryetari i partisë ‘Fjala’, Gëzim Kelmendi, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me qeverisjen 3-vjeçare të Albin Kurti.
Kelmendi u shpreh kritik duke theksuar se edhe kjo qeveri nuk dallon shumë nga qeverisjet e kaluara të pasluftës.
Ai tha se nuk është përmirësuar asgjë në shumë sfera të jetës së qytetarëve.
“Qeverisja aktuale e kryeministrit, Albin Kurti, nuk dallon shumë nga qeverisjet e kaluara të pasluftës pasi që nuk ka arritur të përmirësojë asgjë në shumë sfera për qytetarët e Republikës së Kosovës. Edhe pse erdhi në pushtet me premtimet se do të bëjë ndryshe, erdhi në pushtet duke i kritikuar të tjerët dhe erdhi në pushtet pa asnjë plan-program ekonomik por ishin gabimet e opozitës që qeverisën me Kosovën, gabimet e të tjerëve që e sollën Kurtin në pushtet. Por edhe pse i erdhi mundësia që të vijë në pushtet, kryeministri aktual i Republikës së Kosovës, Albin kurti, nuk arriti që të përmirësojë pothuajse në asnjë sektor jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Gjendja në ekonomi mbetet e rëndë, në arsim gjithashtu e rëndë, në shëndetësi dhe shumë sektorë të tjerë” deklaroi Kelemendi.
Ai tutje ceku edhe një problematikë me të cilën po përballet Kosova siç është largimi i të rinjve.
Ai tha se Kurti jo vetëm që nuk arriti ta përmirësojë por e rëndoi edhe më shumë gjendjen e qytetarëve dhe rinisë në veçanti.
“Ndërsa është rënduar edhe më shumë gjendja sa i përket të rinjve në aspektin e emigrimit drejt vendeve perëndimore. Kryeministri aktual, Albin Kurti, arriti jo vetëm që ta përmirësojë por ta rëndojë edhe më shumë gjendjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe rinisë në veçanti” deklaroi Kelmendi në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”
/Gazeta Blic/


