Lajme

Kelmendi: I vonuar shkarkimi i Ekipit Menaxhues, dëmi i madh është bërë – ky është kurthi

05/03/2023 11:55
nga:G B

Gazetari Adriatik Kelmendi ka thënë se shkarkimi i Ekipi Menaxhues për Asociacionin është i vonuar dhe dëmi i madh është bërë, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook ka krahasuar shkarkimin e ekipit me një vrasës, të cilit t’i ia hapë derën me vetëdije dhe pasi e kryen vrasjen, e thërret policinë për ta arrestuar.

Kelmendi ka shtuar se sipas Borrell, bisedimet për Asociacionin do të vazhdojnë mbështetur mbi draftin e statutit të prezantuar nga ky Ekip Menaxhues.

Ai ka shtuar se kurthi është që pala e cila tregohet destruktive do t’i bartë pasojat.

Ai ka thënë se është ahistorike që një deputete e Vuçiqit të lejohet të prezantojë këtë draft.

Postimi i tij i plotë:

Shumë mirë që u shkarkua Ekipi Menaxhues për Asociacionin sot.

Por ky shkarkim është i vonuar.

Dëmi i madh është bërë.

Kjo i bie si kur e di se një vrasës është nisur drejt shtëpisë tënde, ti ia hapë me vetëdije derën, ai e kryen vrasjen dhe ti pastaj e thërret policinë për ta burgosur. I vrari nuk kthehet në jetë më, pavarësisht çka ndodh me vrasësin.

Borrell mbrëmë tha se bisedimet për Asociacionin do të vazhdojnë mbështetur mbi draftin e statutit të prezantuar nga ky Ekip Menaxhues. Dhe me logjikën e vendosur nga Brukseli, sipas Aneksit të Zbatimit, pala që nuk tregohet konstruktive do t’i bartë pasojat. Tash, pas prezantimit të draftit, pala që nuk do të punojë mbi të do të shihet si destruktive. Këtu është kurthi.

Qeveria e ka ditur se kryesuesja e Ekipit është deputete e partisë së Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë.

Nuk është dashur me asnjë kusht të lejohet prezantimi i një deputeteje, e cila është betuar në Kushtetutën e Serbisë – Kushtetutë brenda së cilës ndodhet edhe Kosova – të propozojë çfarëdo për rregullimin e brendshëm të Kosovës.

Është ahistorike.