Nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) kanë bërë të ditur se reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar një varg prishjesh në rrjetin elektrik anekënd Kosovës.
Në njoftimin e dërguar për media thuhet se zonat më të prekura janë ato të Prishtinës, Gjakovës dhe Ferizajt. Situata është përkeqësuar edhe në rajonin e Mitriovicës, përkatësisht në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skënderaj.
“Duke e pa situatën, KEDS është mobilizuar menjëherë. Ekipet tona janë gjatë gjithë kohës në terren me kapacitete të shtuara dhe po punojnë në sanim të dëmeve të shkaktuara. Kujtojmë që erërat dhe shiu i madh, po ashtu edhe drunjtë e thyer dhe rrugët e bllokuara nga vërshimet po e bëjnë më të vështirë intervenimin dhe kjo po afekton në shumë raste edhe në kohëzgjatjen e sanimit të prishjeve”.
“Por, KEDS mbetet e përkushtuar dhe po bën të pamundurën që konsumatorëve të afektuar t’u kthehet energjia elektrike sa më parë. Vlen të theksohet që mbi 90 për qind e konsumatorëve vijojnë të furnizohen pa ndërprerje dhe nuk kanë ndonjë telashe sa i përket shërbimeve që marrin nga ne”.
“Ndërsa nga konsumatorët e afektuar kërkojmë mirëkuptim për shkak të kushteve të rënduara atmosferike. KEDS do vazhdojë t’ju mbajë të informuar për gjendjen në terren sa i përket rrjetit elektrik dhe zonave të afektuara nga moti i përkeqësuar”, thuhet në njoftim.


