Lajme

KDI: Shqetësuese, Kuvendi ka miratuar vetëm 25 % të agjendës legjislative

03/24/2024 21:50
nga:G B

Shumë pak seanca. Shumë pak ligje të miratuara. Mungesa të panumërta të deputetëve. Dështim edhe i mbledhjeve të Kryesisë.

Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë politik në vend, pos që përgjatë vitit 2023 ishte tepër i lodhët, këtë vit e ka nisur edhe më keq.

Deri më tani, për gati tre muaj Kuvendi i Kosovës e ka mbajtur vetëm një seancë ku është diskutuar për projektligje.

Derisa nga organizata që merren me monitorimin e punës së Kuvendit kanë kritika për pjesën e dytë të kësaj legjislature, në anën tjetër, po kërkohet edhe shpërbërja e tij.

Nuk janë më vetëm analistët politik që po kërkojnë shpërbërjen e këtij Kuvendi, është edhe vetë kryeministri i vendit, Albin Kurti ai i cili po kërkon një gjë të tillë.

Megjithatë, shpërbërjen e Kuvendit dhe çuarjen e vendit në zgjedhje nuk po e kërkon vetëm për shkak të mos funksionimit të institucionit më të lartë legjislativ në vend, por për një çështje shumë të ndjeshme- për shkak të presionit amerikan për zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Nga Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI), i cili merret me monitorimin e punës së Kuvendit, thonë se problemi i kuorumit sa vjen e shtohet.

Arbër Thaçi, hulumtues në KDI, ka thënë për emisionin “Expose” prodhim i Gazeta Blic se kjo legjislaturë duhet të ndahet në dy faza: në fazën e parë kishim një punë më aktive, ndërkaq në pjesën e dytë, më 2023 dhe këtë vit kemi një intensitet krejt tjetër.

Thaçi ka thënë se atë më shumë e shqetëson fakti që kemi një shumicë parlamentare të konsoliduar dhe që i ka numrat, por që nuk funksionin.

“Në këtë legjislaturë është e rëndësishme të bëhet një ndarje fillimisht, meqenëse në pjesën e parë të legjislaturës kemi të bëjmë me një punë paksa më aktive, e cila është reflektuar edhe nëpërmjet numrave në kuptimin numerik të numrit të ligjeve të miratuara, por edhe në tërësi të realizimit të agjendës legjislative. Ndërsa në pjesën e dytë të kësaj legjislature kemi të bëjmë me një intensitet krejt të ndryshëm të punës së deputetëve, meqenëse numrat e projektligjeve dhe dokumenteve që ata trajtojnë kanë rënë drastikisht dhe problemi i kuorumit sa vjen e shfaqet më tepër në seancat e Kuvendit të Kosovës”, thotë ai.

Thaçi thekson se është shqetësues mos kalimi i projektligjeve, derisa kemi shumicë parlamentare të konsoliduar.

“Po si numër ne saktësisht nuk kemi diçka, meqenëse projektligjet janë të ngatërruara prej agjendave legjislative të ndryshme, d.m.th prej disa viteve që kanë mbetur, mirëpo sa mbaj mend diku në vitin e  kaluar Kuvendi ka miratuar diku rreth çerekun e agjendës legjislative të tij, do të thotë 25% të agjendës legjislative që është një numër tejet i vogël, le të themi vet funksionin  e Kuvendit, dhe për më tepër është një numër shqetësues kur vlerësojmë faktin se kemi të bëjmë më një shumicë parlamentare mjaft të konsoliduar, që zotëron numra të mjaftueshëm për të zhvilluar agjendën legjislative krejtësisht ndaras vullnetit të partive tjera”, deklaron Arbër Thaçi nga KDI.

Ai ka identifikuar dy faktorë që kanë çuar në rënien drastike të intenstitetit të punës së Kuvendit.

Thaçi thotë se faktori i parë ka të bëjë me lodhjen e deputetëve, për faktin se në pjesën e parë të kësaj legjislature kanë qenë tepër aktiv, dhe e dyta ka të bëjë me pakenaqësitë dhe mos pajtimet brenda grupeve parlamentare, sidomos tek Grupi më i madh parlamentar- ai i Vetëvendosjes.

“Edhe kjo e dhënë si numër është problematike të zgjedhet, meqenëse seancat rrallëherë dështojnë në tërësi si mungesë e korumit, mirëpo mund të themi se në pothuajse në secilën seancë ka pika të rendit të ditës të cilat dështojnë si pasojë e korumit, mirëpo jo vet seanca meqenëse se seanca vazhdon dhe trajton pika dhe cështje të ndryshme. Nëse e marrim si mostër për trajtim punën gjatë vitit 2024, Kuvendi i Kosovës në vetëm një senacë ka trajtuar dokumentet dhe projektligjet për të cilat është mbledhur në secilën nga seancat e tjera, Kuvendi ka dështuar në një moment të trajtoj projektligje apo rezulota për të cilat është mbledhur, do të thotë mungesa e korumit nuk është shfaqur në vetëm një senacë gjatë këtij viti në secilën tjetër kjo ka qenë arsyeja e dështimit të seancave në tërësi. Në kuptimin le të themi të mungesës së vullnetit përbrenda, është e qartë që ka një mungesë të vullnetit përbrenda të shumicës parlamentare, mendojmë se varësisht tek natyra e projektligjeve dhe ligjeve që nuk votohen nga deputetët e caktuar kemi të bëjmë me një orientim apo bindje të tyre kundrejt këtyre dokumenteve”, shton ai.

Sipas Thaçit, janë dy fakte mbi ngadalësimin e realizimit të agjendës së Kuvendit.

“Mirëpo në përgjithësi nëse themi se mund të pohojmë diçka mbi ngadalësimin e realizimit të agjendës legjislative, kemi dy fakte, i pari është mbase edhe lodhja e deputetëve të kësaj mazhoranace meqenëse dy vitet e para dhe fillimin e kësaj legjislature kanë treguar një aktivitet shumë të lartë, dhe si shpejgim i dytë le të themi se mund të jenë disa mospajtime ose përcarje përbrenda kësaj shumice që nganjëherë reflektohet edhe me mungesa krejt të paarsyshme të deputetëve të caktuar”, përfundon Arbër Thaçi./Gazeta Blic/