Lajme

KDI: Kuvendi duhet të konstituohet – përgjegjësia kryesore bie mbi VV-në

04/15/2025 15:03
nga:G C

Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar konstituimin e Kuvendit.

Në një komunikatë për media, ata kanë theksuar se përgjegjësia kryesore është e Vetëvendosjes.

Njoftimi:

Dështimi i votimit të raportit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve bëri që seanca konstituive e sotme të ndërpritet. Me vetëm 52 vota pro – të pamjaftueshme për miratim – u dëshmua qartë se ekziston një mospërputhje mes deklarimeve publike të Lëvizjes Vetëvendosje për sigurimin e shumicës së nevojshme dhe realitetit parlamentar.

Ndonëse të gjithë deputetët janë të obliguar të veprojnë në funksion të konstituimit të Kuvendit, mosdorëheqja formale e anëtarëve të qeverisë që kanë fituar mandat legjislativ ishte faktori kryesor që çoi në dështimin e sotëm të seancës. Në këtë kontekst, vlerësojmë se ky dështim nuk mund t’i faturohet vetëm opozitës, kur shumica pretendon se i ka votat, por është rezultat i keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së përgatitjes ligjore nga ana e shumicës.

Përpjekjet për përfshirjen e Presidentes për t’i dhënë drejtim procesit të konstituimit të Kuvendit, përveçse tërësisht të panevojshme, janë juridikisht të pavlefshme. Roli dhe kompetencat e Presidentes përfundojnë me thirrjen e seancës – ndërsa menaxhimi i saj është përgjegjësi ekskluzive e kryesuesit të seancës, Avni Dehari.

Zgjidhja është e mundur dhe e domosdoshme!

Vazhdimi i seancës duhet të thirret sa më parë, brenda afatit 48-orësh, për të mundësuar sërish mbledhjen e komisionit të përkohshëm, i cili duhet t’i shqyrtojë dhe verifikojë edhe një herë materialet përkatëse – të cilat duhet të jenë të plota. Më pas, është përgjegjësi e të gjithë 120 deputetëve që të votojnë pro raportit dhe të japin betimin. Në fund, LVV, si parti fituese, ka obligim të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – përmes diskutimeve, negocimit dhe kompromisit politik – në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për formimin e institucioneve dhe të shmangen zgjedhjet e reja.