Transparency International ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2025, ku Kosova ka shënuar 43 pikë dhe është renditur në vendin e 76-të nga gjithsej 182 shtete të përfshira në matje. Krahasuar me vitin paraprak, Kosova ka shënuar rënie prej një pike dhe ka humbur tri pozita në renditje, duke ndërprerë trendin gradual të rritjes që kishte vazhduar për rreth një dekadë.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se kjo rënie përfaqëson stagnim serioz në luftën kundër korrupsionit dhe lidhet drejtpërdrejt me krizën politike dhe institucionale që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Sipas KDI-së, bllokimi i Kuvendit dhe funksionimi i kufizuar i institucioneve kanë penguar zbatimin e reformave thelbësore në fushën e sundimit të ligjit dhe anti-korrupsionit.
Një ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga KDI është fakti se për herë të parë një qeveri me mandat të plotë nuk arriti të miratojë Strategjinë Kombëtare Kundër Korrupsionit.
Po ashtu, viti 2025 u përmbyll pa dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, për shkak të mospajtimeve politike ndërmjet institucioneve kryesore. Mosplotësimi i kësaj pozite kyçe për një periudhë të gjatë, sipas KDI-së, ka dobësuar funksionimin e sistemit prokurorial dhe ka krijuar pasiguri institucionale në luftën kundër korrupsionit.
Gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar disa hetime dhe janë ngritur aktakuza ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë edhe rastin e njohur si “rezervat shtetërore”, ku u ngrit aktakuzë ndaj ish-Ministres së Tregtisë dhe Industrisë për dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë prej rreth 3 milionë euro.
Megjithatë, KDI thekson se pavarësisht këtyre zhvillimeve, Kosova ende nuk ka asnjë aktgjykim përfundimtar me dënim efektiv me burg për korrupsion të nivelit të lartë, duke krijuar perceptim të pandëshkueshmërisë dhe duke ndikuar negativisht në besimin e qytetarëve ndaj drejtësisë.
Reformat në sistemin e drejtësisë gjatë vitit 2025, sipas KDI-së, kanë mbetur të paralizuara. Mungesa e Kuvendit funksional ka pamundësuar miratimin e ligjeve të pakos së reformës dhe amendamenteve kushtetuese për procesin e vettingut. Edhe pse Ligji i ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës ka hyrë në fuqi, zhvillimet e fundit brenda këtij institucioni tregojnë pengesa të brendshme dhe rezistencë ndaj zbatimit të plotë të reformës.
KDI kritikon gjithashtu vazhdimin e vendimmarrjes buxhetore nga qeveria në detyrë pa kontroll parlamentar, mungesën e transparencës në prokurimin publik, si dhe përdorimin e fondeve publike për qëllime elektorale. Po ashtu, sipas KDI-së, gjatë kësaj periudhe janë shtuar presionet ndaj mediave, shoqërisë civile dhe institucioneve të drejtësisë, çka ka ngushtuar hapësirën qytetare dhe ka dobësuar mbikëqyrjen demokratike.
Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet e dyta për nga pikët, pas Malit të Zi me 46 pikë, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë. Megjithatë, KDI vlerëson se rënia e këtij viti e vendos Kosovën në një fazë stagnimi në një kohë kur rajoni përballet me dobësim të reformave dhe institucioneve.
Në përfundim, KDI u bën thirrje Kuvendit dhe Qeverisë së re që të veprojnë pa vonesa, duke vendosur luftën kundër korrupsionit në krye të agjendës shtetërore, përfshirë miratimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit, zbatimin e reformës në drejtësi, forcimin e pavarësisë institucionale dhe sigurimin e ndëshkueshmërisë reale për korrupsionin e nivelit të lartë.


