Kandidati për deputet nga Nisma, Zafir Berisha, ka thënë se Vetëvendosje në fushatë po e luan rolin e opozitës, duke qenë ende në pushtet.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se VV po e sheh që s’ka më analfabetë që e votojnë.
“Serioziteti i fushatës është shumë i madh dhe meqë partia në pushtet po e sheh që s’ka më analfabet si para 4 vitesh, ka filluar ta luajë rolin e opozitës edhe pse është ende në pushtet, me theks të veçantë kryetari i VV-së, me gjuhën e përdorur e ka acaruar diskursin në këtë fushatë. Natyrisht që ndoshta as të tjerët nuk ia kanë lënë mangët, mirëpo kjo gjuhë nuk është parë në ndonjë fushatë elektorale tash e 25 vjet sa marr unë pjesë në zgjedhje”, ka thënë ai.
Berisha ka komentuar deklaratën e Kurtit se “opozita do të plaket e rrokatet në opozitët”.
Sipas tij, Kurti është rrokatur dhe është në panik, duke i parë tubimet e opozitës dhe duke ditur se ai duhet të japë përgjegjësi për korrupsionin e atë që ka bërë në qeveri.
“Në bazë të paraqitjeve publike një pjesë që mund ta përcjell mbrëmje vonë sepse jam në fushatë, e kam parë që vërtetë është rrokatë dhe problem ta mbërrijë 9 shkurtin sepse me gjuhën e përdorur ai tregon se është në panik dhe besoj se pjesëmarrja masovike në tubim te të gjitha partitë opozitare ka filluar ta tronditë atë dhe planin e tij dhe ai është i vetëdijshëm se në momentin që shkon në shtëpi duhet të japë përgjegjësi për skandalet e mëdha korruptive, për dëmin që ua ka bërë Kosovës, ndërsa ky shtet ka rregulla, ka ligje, ka institucione të drejtësisë, ai mund të mos i përgjigjet në këtë kohë kryeprokurorit të shtetit por ai vetë nëse ikë në Norvegji, përndryshe hajdutllëqet që i ka bërë ai dhe njerëzit rreth tij gjatë qeverisjes, nuk mund të arsyetohen me fjalorin dhe gjuhën që po e përdor në fushatë, e veçanërisht me sulmet që po ia bën në fushatë atyre që nuk duhet të sulmohen, pra drejtësisë së vendit”, është shprehur kandidati për deputet.
Po ashtu, ai ka thënë se Kurti nuk shkon në kryeprokurori për të dhënë deklaratë, pasi dëshiron të bëjë filma.
“Ai është i interesuar të bëjë filma por unë besoj se prokuroria nuk bjen në grackën e skenarëve të tij, sepse e dini se ka ardhur me skenarë filmash në pushtet dhe një intervenim të drejtësisë, për ta sjellë dhunshëm me forcë dëshmitarin para prokurorit, ai ka mundur ta shfrytëzojë për elektoratin që me tërrnakop nuk mund t’ua gjesh trurin”.
Ai e ka quajtur ofendim deklaratën e Kurtit për Prizrenin “kryeqytet i pekmezit”.
“Skenarët e Kurtit po përgatiten për çdo qytet. Paramendojeni në Prizren, një qyteti me kulturë, traditë, kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve, vjen me një gjuhë fyese e thotë kryeqyteti i pekmezit. Pastaj shkon në Deçan, në Malishevë, Skenderaj, mirëpo edhe aktivistët edhe partitë opozitare e kanë kuptuar se ky me qëllim po e prodhon këtë fjalor dhe me qëllim po provon për të nxitur ndonjë situatë të cilën mendon se mund ta konvertojë në favor të tij për votë”, ka theksuar Berisha për Gazeta Blic.
Sipas tij, Kurti ka panik për dy arsye.
“Ai i ka dy arsye, edhe tubimet, edhe pjesëmarrja aktive e qytetarëve nëpër tubime, aktivizimi i qytetarëve nëpër lëvizjes e opozitës e shqetësojnë sepse para 4 vitesh s’ka pasur mobilizim të tillë, ndërsa tubimet e tyre me perde, me maska, tregojnë se e ka humbur fuqinë dhe nuk ka më analfabetë si para 4 vitesh që e ndjekin dhe për këtë shqetësohet, sepse ky për 4 vjet i ka bërë shumë të zeza këtij vendi, korrupsion, skandali me rezervat shtetërore, miliona euro me KEK-un, në kombinim me mafinë energjetike të Ballkanit me seli në Beograd, pra këto janë gjëra për të cilat duhet të përgjigjet dhe unë besoj se meqë ai është qiraxhi, në Kosovë ekziston çdo mundësi sepse në fund të fundit, jemi i vetmi vend që në Evropë po por edhe në botë ndoshta që e ka pranuar një qiraxhi të na qeverisë por që ka gabuar dhe gabimin qytetarët duan ta përmirësojnë dhe prandaj është fushata”, ka deklaruar Zafir Berisha.


