Lajme

Katërshja e UÇK-së në fund të procesit në Hagë, palët presin fillimin e fjalëve përfundimtare

02/01/2026 22:10
nga:Genita C

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në rifillimin e procesit më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po shkon drejt fundit të gjykimit, ku më 9 shkurt pritet të fillojnë seancat me fjalët përfundimtare të palëve.

Nga 9 deri më 18 shkurt, Prokuroria e Specializuar, trupi gjykues dhe mbrojtja e të akuzuarve do të thonë fjalët e tyre. Në fund, të drejtën për fjalim e kanë edhe katër të akuzuarit, ku secili do të ketë në dispozicion 20 minuta për të dhënë versionin e tij mbrojtës.

Pas fjalëve përfundimtare, janë në dispozicion 90 ditë për vendimin e shkallës së parë për rastin “Thaçi e të tjerët”.

Gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Gjatë procesit kanë dëshmuar qindra dëshmitarë të prokurorisë dhe shtatë të mbrojtjes, përfshirë përfaqësues amerikanë të shtetit dhe diplomatë të shquar që kishin rol të rëndësishëm gjatë luftës së fundit në Kosovë./RTK