Lajme

“Katër vite tepër të vështira”, Jasharaj: S’kam parë arritje – Qeveria Kurti e ktheu kundër çdo premtim

01/01/2025 20:03
nga:Sh R

Ndihmon si vëlla, na ndihmo të dalim prej krizës si vëlla, ami 100 euro”, ishte deklaratë kjo që dy vite më parë kryeministri Albin Kurti e nxori në publik nga biseda me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt, për kërkesën që ky i fundit duke përfaqësuar këtë sindikatë bashkë me sindikatat tjera, ia kishte bërë Kurtit në lidhje me shtesat për punonjësit e arsimit dhe të tjerët, deri në miratimin e Ligjit për paga.

Ndaj Jasharajt, pas kësaj deklarate të Kurtit, kishe filluar një lloj fushate linçuese duke e bërë atë cak të kritikave dhe sulmeve të ndryshme që vinin kryesisht nga përkrahës të pushtetit.

Kërkesa për shtesa prej 100 eurove, që vinte nga Jasharaj por edhe sindikalistë të tjerë, ishte bërë siç thoshin ata ndër tjerash, edhe si mënyrë për t’i bërë ballë inflacionit që kishte goditur Kosovën.

Tash që jemi në fund të mandatit qeverisë të Lëvizjes Vetëvendosje, Gazeta Express, ka kontaktuar me Rrahman Jasharajn, për të marr një koment nga ky i fundit rreth zhvillimeve gjatë këtyre katër viteve mes kësaj sindikate dhe qeverisë.

Kryetar i SBASHK-ut, bëri dallimin mes Kurtit dhe ish-kryeministrave të tjerë para tij, duke theksuar se përderisa edhe me të tjerët kanë pasur mospajtime, dialogu ka ekzistuar gjithmonë, gjë e cila nuk është hasur tek qeveria Kurti, për qeverisjen e katër vjeçare të secilës, Jasharaj tha se, kanë qenë vite të vështira.

“Për një kohë të gjatë si kryetar i SBASHK dhe duke bërë shpesh analiza dhe duke e kthyer kujtesën në këto 12 vite që jam si kryetar kam pasur fatin të komunikoj me të gjithë kryeministrat shqiptarë në vitet e pas luftës. Dhe tu ju them të vërtetën edhe pse edhe me ata kemi pasur herë ditë të mira herë përplasje, ata asnjëherë nuk i kanë mbyllur dyert e dialogut dhe janë munduar ta ruajnë edhe palën tjetër, që të mos e fyejnë e të mos e lëndojnë, dhe kanë bërë arritje aq sa kanë pasur mundësi, brenda mundësisë buxhetore. Sa i takon katër viteve të kryeministrit Kurti me keqardhje e them se ishin këto katër vite tepër të vështira, dhe nëse i marrim premtimet që i ka bërë, qoftë për tërë Kosovën, qoftë për qasjen ndaj dialogut e sindikatave, mund të them që asnjë nga premtimet e bëra për sistemin arsimor e as për sindikatat nuk është bërë”, ka thënë ai.

Në deklarimin e tij, Jasharaj theksoi edhe zhgënjimet më të mëdha që kanë ardhur nga kjo përbërje qeverisëse, duke theksuar në mënyrë të veçantë ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe ministrin e Arsimit, Arbëri Nagavci.

Për këtë të fundit, Nagavcin pra – e cila në një ekzaltim të momentit pas një darke që Kurti kishte zhvilluar me shkrimtarin nobelist Orhan Pamuk, këtij të fundit s’ia kishte ditur emrin – ka pasur edhe thirrje për dorëheqje për atë që e përmendem më lartë, e që ka qenë linçimi ndaj Jasharajt.

“Madje ajo që na ka zhgënjyer shumë këto katër vite është qasja tepër e gabuar e kryeministrit Kurti, e pastaj edhe veçmas edhe e ministrit Murati i cili është ministër i Financave, Transfereve por edhe i Punës dhe Mirëqenies sociale, por jemi të zhgënjyer edhe me ministren Nagavci e cila në këto katër vite nuk është ndjerë asnjëherë si ministre për t’i mbrojtur punëtorët e arsimit e për t’i shpallur në mbledhje kërkesat e tyre legjitime, por në të kundërtën edhe ajo është munduar që ta hesht zërin e tyre”, ka shtuar Jasharaj.

Tutje, kryetari i SBASHK-ut, ka thënë se pakënaqësitë me qeverinë kanë arritur kulmin e tyre, kur janë prekur pagat, duke deklaruar se rritjet kanë qenë shumë të vogla.

“Pra nuk kam parë ndonjë arritje, nuk kam parë asnjë hap të bërë për të realizuar qoftë edhe një kërkesë legjitime të anëtarësisë sonë. Dhe kulmi i kësaj erdhi edhe me paga, sepse në vitin 2024 pagat në sistemin arsimor para-universitar janë ngritur vetëm 28 euro, ndërsa në Shqipëri dhe vendet tjera ka pasur ngritje të dukshme me qindra euro, dhe ata e kanë bërë këtë për t’i mbrojtur pagat që i kishin nga inflacioni dhe për ta ruajtur dosido forcën e tyre blerëse. Pra me rritje 28 euro ka qenë zhgënjyese dhe zhgënjyese shumë që krijoi edhe tensione të reja ishte dhe deklarata e kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati që në janarin që po vjen do të bëhej një ndryshim në koeficient për 0.5 ndryshim, ky ndryshim që edhe nuk është ligjor , ndryshim ky që sjell një ngritje 55 euro, që përsëri është vlerësuar irrituese nga punëtorët e arsimit, ngase kemi ngel shumë larg nga pagat e kolegëve tanë në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi e të mos flas për shtetet e Europës”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe problematikën me tekstet shkollore dhe furnizimin e shkollave me to.

“Është fol shumë për digjitalizimin e shkollave diçka e cila nuk ka ndodhur dhe ato shkolla që kanë internet nuk mund të lavdërohen sepse interneti është vetëm në drejtori të shkollave e jo në tërë hapësirat e shkollës dhe kjo krijon probleme shtesë. Është fol shumë për t’i ndihmuar dhe mbështetur punëtorët e arsimit dhe shkollat por fatkeqësisht edhe këtë vit shkollor po i zhvillojnë betejat për dije me shkumës dhe shpuzë. Dhe normalisht asnjë nga ne nuk ndihemi mirë kur po dalim keq në testet ndërkombëtare por edhe në garat e zhvilluara kudo, dhe për këtë fajtor janë kushtet të cilat në shkolla punojnë, me kushtet e shekullit të kaluara. E keqja tjetër ndodhi në dy vitet e fundit me tekstet shkollore sepse më parë shpërndarja bëhej pas marrëveshjes me botuesit që e bënte MASHTI, bëhej në komuna e pastaj në shkolla, dhe që në fillim të shtatorit tekstet ishin në shkolla, kurse edhe mediat edhe qytetarët dhe të gjithë e panë që edhe këtë vit edhe vitin e kaluar, një muaj e dy muaj gati shkuan pa u furnizuar në tërësi nxënësit me tekste”, ka thënë ai.

Në fund, Jasharaj, ka vlerësuar si fatkeqësi faktin që siç ka thënë ai, po ndëshkohen të gjithë ata që kanë punuar për sistemin arsimor edhe vitet e ’90.

“Ku janë qerdhet që u premtuan, ku janë se do të kemi nivel shumë më të mirë të pagave, do të kemi mbështetje të sindikatave, pra të gjitha premtimet qeveria Kurti i ktheu në të kundërtën. Madje do të mbahet mend edhe për momentin kur në një të drejtë të fituar punëtorët e arsimit të viteve ’90 të cilëve u pranoheshin këto vite si kontribut dhënës, me ndryshimet që i bëri qeveria Kurti, janë prekur edhe këto pensione. Dhe fatkeqësia është se të gjithë ata që punuan për sistemin arsimor dhe republikën e Kosovës tani po ndëshkohen”, ka përfunduar ai.

Në lidhje me këto, Express ka kontaktuar edhe me njohësin e çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja

I njëjti ka deklaruar mes tjerash se, dialogu mes Qeverisë dhe Sindikatës nuk duhet të vihet në pikëpyetje, dhe se përfaqësimi që sindikata ua bën mësimdhënësve është i garantuar me ligj.

“SBASHK është partner social i Qeverisë, që përfaqëson interesat e mësimdhënësve, dhe ky përfaqësim është i garantuar me kushtetutë dhe ligj – sa reagimet e tyre sindikale janë të arsyeshme apo jo ky është debat në vete, mirëpo, dialogu si qëllim i përgjigjes së kërkesave të komunitetit të mësimdhënësve nuk duhet të vihen në pikëpyetje”, ka thënë ai.

Sa i përket problematikes së ngritur nga Jasharaj për tekstet shkollore, Qehaja deklaroi se për të njëjtën duhet bërë një analizë mes modeleve të shpërndarjes.

“Furnizimi me tekste shkollore si subvencionim i drejtpërdrejt tek nxënësit përmes prindërve është modalitet më ndryshe nga ajo e zakonshmja e dekadave të mëparshme por që në thelb arrin qëllimin e njëjtë – shpërndarjen e teksteve shkollore për të gjithë nxënësit. Do të doja shumë që të kemi një analizë të fizibilitetit që na krahason mes modeleve dhe jep përgjigje empirike mbi modelin ideal që duhet të ndjekët”, ka shtuar ai.

Për fund, Qehaja është deklaruar edhe për reformat që kërkohen në arsim, për të cilat ai u shpreh se duhet të arrijnë tek nxënësit në klasë, përndryshe nuk mund të njihet si ndryshim.

“Reformat në arsimin përgjithësisht vazhdojnë të jenë të prezantuar si legjislacion i ndryshuar dhe dokumente strategjike të zhvilluara jo si reformë që prek drejtpërdrejt mësimdhënien dhe mësim nxënies, dhe deri sa ndryshimi të mos shkoj tek nxënësi në klasë, atëherë as nuk mund të prezantojmë as të presim ndryshim”, ka deklaruar ai për Express.

Përndryshe, përgjatë këtyre katër viteve mandat, qeverisja e udhëhequr nga Albin Kurti është kritikuar mjaftë shumë për situatën e arsimit në Kosovë.

Rezultatet e dobëta në testimet ndërkombëtare, investimet e pakta të realizuara nga ajo çfarë ishte premtuar, e po ashtu mes tjerash, edhe grevat e mësimdhënësve e furnizimi me tekstet shkollore, janë disa nga pikat përmes së cilave është kritikuar Qeveria Kurti.